Kukësi do të niset drejt Turqisë, ku do të zhvillojë fazën përgatitore dhe do të luajë disa ndeshje miqësore. Trajneri Shpëtim Duro nuk do të ketë nën urdhrat e tij një prej lojtarëve që iu bashkua ekipit në merkaton e verës.
ABC News mëson se Mirlind Daku nuk do të fluturojë drejt Turqisë me pjesën tjetër të skuadrës dhe largimi i tij mbetet vetëm të zyrtarizohet. Ai u mor në verë nga Osijek në huazim, por ka pasur pak hapësira te Kukësi.
Në kampionat ai është aktivizuar në 13 ndeshje, por vetëm dy prej tyre i ka nisur nga minuta e parë. Në njërën shënoi edhe golin e vetëm në Superiore, që kishte vlerën e tre pikëve. Sulmuesi ndëshkoi Flamurtarin dhe tani pritet që të mësohet se ku do ta vijojë karrierën.
Çështja tjetër lidhet me mesfushorin Vesel Limaj. Ky i fundit pretendon se i ka përfunduar kontrata me Kukësin dhe do të duhet të sqarohet kjo çështje. Mesfushori dardan e ka emrin në listën e lojtarëve që duhet të udhëtojnë drejt Turqisë, çka nënkupton se nga ana tjetër klubi pretendon se është ende nën kontratë. /abcnews.al