Lirohet nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Haki Çako. Vendimi është firmosur nga Kryeministri Edi Rama pas propozimit të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Në vendin e Çakos në postin e drejtorit është komanduar Rebani Jaupi.
Pas më shumë se 30 muajve në krye të policisë së shtetit, Haki Çako u lirua nga kjo detyrë.
Me propozim të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, Këshilli i Ministrave miratoi lirimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako.
Ne njoftimin e ministrisë se brendshme nuk sqarohet motivacioni i lirimit të ish-kreut të policisë Çako, por theksohet se duhet një lidership i ri, me energjitë të reja për të motivuar dhe çuar përpara punën e Policisë së Shtetit.
“Realizimi i objektivave të këtij mandati qeverisës, në fushën e rendit dhe sigurisë publike, sfidat që e presin Policinë e Shtetit, kërkojnë një ritëm më të shpejtë dhe dinamikë të madhe pune. Për këtë arsye është i domosdoshëm një lidership i ri, me energjitë të reja për të motivuar dhe çuar përpara punën e Policisë së Shtetit”.
Çako pas takimit me ministrin e Brendshëm, nuk kishte koment, por thjesht dërgoi një urim nëpërmjet mediave të shumta që ishin vendosur poshtë zyrës së tij.
Përkohësisht në krye të kupolës së policisë së Shtetit, u komandua, Rebani Jaupaj. Më herët 45-vjeçari ka mbajtur postin e zv.drejtorit të përgjithshëm në Policisë e Shtetit si edhe nëndrejtor në Policinë e Tiranës, kur drejtohej nga Ardian Çipa.
Haki Çako ka një karrierë prej 30 vitesh në Polici. Përpara se t’u emëronte në krye të policisë së shtetit më 16 prill të 2015, Çako mbanta postin e zv.drejtorit për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda. Ndërkohë në tetor 2013 – Shtator 2014 ishte Drejtor në Drejtorinë e Policisë Qarkut Gjirokastër./abcnews.al