Ish-ministrja e PD, Majlinda Bregu kërkon zbatimin në Shqipëri të standardit të ri të Këshillit të Europës për t’i ndaluar platformave online publikimin e komenteve fyese, gjuhës së urrejtjes apo nxitjes së dhunës.
Bregu për këtë, i referohet një projektligji të ngjashëm që propozoi vite më parë, në atë kohë si deputete e PD në opozitë, por që nuk u mbështet, nga pala politike ku ajo aderonte.
“Sot, më shumë se një dekadë më vonë, institucionet europiane, Këshilli i Europës më saktë Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, po përqafojnë të njëjtin parim që atëherë u përqesh si “kërcënim”.
Po, platformave u kërkohet përgjegjësi.
Po, gjuha e urrejtjes kërkon ndëshkim, jo tolerim.
Po, liria e shprehjes ka kufi aty ku fillon dhuna verbale dhe poshtërimi.”
Asojkohe, Bregu kujton se u sulmua nga shume aktore, perfshi dhe brenda partise demokratike.
“Disa më akuzuan se po riktheja nenin famëkeq të Agjitacion-Propagandës nga diktatura. Ndërsa më të zellshmit , sharësit me pagesë, të punësuar nga zgripet e partive politike (përfshi edhe timen), dolën në ofensivë për të justifikuar normën ditore të punë–sharjes. Propozimi u bllokua në parlament.”
Sot pas 10 vitesh, Bregu nuk është me as në parlament, as në politikë, por thotë se koha i dha të drejtë. Tashmë i mbetet Gjykatave të zbatojne këtë vendim europian.
Qeveria e PS ka bërë tentativa të ngjashme me paketën antishpifje, e cila është shtyrë disa herë dhe nuk është miratuar ende.

