Në nder dhe përkujtim të heroit, Xheladin Gashi Plaku, një ndër themeluesit e UÇK-së, artisti Besart Gashi ka nisur krijimin e një punimi tejet të veçantë, ku figura e gjeneralit do të vuloset me mbishkrimin “Liria ka emër”.
Në një lidhje me Skype në emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, Besarti thotë se ky punim, me të cilin synon të vendosë një rekord Guinness, do të dhurohet për përvjetorin e 75-të të heroit kombëtar, shkollës që mban emrin e tij.
“Sapo kam filluar me një punim të veçantë për një ish-mësues të shkollës që ka dhënë dije dhe ka edukuar brezat e rinj. Bëhet fjalë për heroin kombëtar Xheladin Gashi Plaku, i cili është ndër ndër themeluesit e parë të UÇK-së.
Jam duke e punuar me vulë mbishkrimin “Liria ka emër”. Jam duke vulosur figurën e tij, ashtu siç e vulosën ata lirinë e Kosovës. Ky portret do të dhurohet për 25 Maj, ditëlindjen e 75-të e heroit, do t’i dhurohet shkollës që mban emrin e tij.“, u shpreh Besarti. /abcnews.al