Lionel Mesi është i vendosur për të ndihmuar Argjentinën, që të kualifikohet në Botëror. Ekipi nga Amerika e Jugut hedh poshtë lajmet për përçarje dhe përgatitet për Nigerinë.
Janë ende të bashkuar për një ëndërr.
Kështu shkruhet në autobusin e kombëtares së Argjentinës, e cila nuk dëshiron të kthehet që tani në shtëpi.
Nga Lionel Mesi kërkohet një mrekulli që të fitohet ndaj Nigerisë dhe të mos vijë eleminimi i parakohshëm nga Botërori.
Ylli më i madh i botës jepet i vendosur që ta bëjë këtë. Havier Maskerano e thotë në konferencën për shtyp.
Maskerano: “Leo është mirë. Natyrisht, jemi të mërzitur sepse gjërat nuk po na ecin mbarë si skuadër. Ai është lojtar-kyç për ne, por edhe ai është njeri, pra edhe ai mund të mërzitet. Leo do të bëjë ç’mos që kjo të ndryshojë”.
Burime brenda Argjentinës, pohojnë se ai është betuar se nuk do të tërhiqet nga futbolli derisa të fitojë Kupën e Botës.
Gjithsesi, në Rusi ka lajme për konflikt mes lojtarëve dhe trajneri Sampaoli, madje është thënë se lojtarët do të ndryshojnë skemën e lojës që t’i përshtatet më shumë Mesit.
Maskerano i hedh poshtë këto zëra.
Maskerano: “Relacioni ynë me trajnerin është krejtësisht normal. Nuk ka asgjë nëse ne flasim me trajnerin kur nuk ndihemi mirë me diçka, pasi nëse bëjmë ndryshe, do të jemi hipokritë. Nëse nuk jemi të sinqertë, si mund t’i rregullojmë gjërat?”
Mesi ndërkaq, festoi 31-vjetorin e lindjes, të cilin ia uruan shokët e ekipit, ndërsa ai doli në foto me fëmijët e tyre.
Ditëlindjen e tij e festuan edhe tifozët rusë në Rusi, në qytetin Bronici, ku ishte krijuar një tortë e madhe, një statujë e Leos e ku pati brohoritje për të.
Ditëlindja e mjeshtrit u kremtua edhe në Indi. Tifozët argjentinas, ndërkaq, shpresojnë të mos kenë më zhgënjime në këtë Botëror. /abcnews.al