Lind nëna e infektuar me koronavirus në QKUK, priten rezultatet për foshnjën

schedule16:13 - 3 Korrik, 2020

schedule 16:13 - 3 Korrik, 2020

Në Klinikën Gjinekologjike në Kosovë ka lindur një grua e cila ishte konfirmuar e infektuar me koronavirus.

Mediat në Kosovë bëjnë me dije se pacientja nga regjioni i Prizrenit ka përfunduar lindjen mbrëmë, derisa gjatë ditës pritet rezultati për foshnjën. Ndërkohë, që është edhe një paciente tjetër e dyshuar me koronavirus, për të cilën do të dalin rezultatet gjatë ditës.

Vetëm mbrëmë në këtë klinikë kanë lindur 39 foshnje, ndërkohë që gjatë së premtes kanë qenë të shtrira 220 paciente. Drejtori i kësaj klinike u bëri thirrje spitaleve regjionale që të mos ngarkojnë këtë klinikë, sepse sipas tij, ditëve të fundit është stërngarkuar.

Jakup Ismajli thotë se ditëve të fundit është shtuar numri i pacientëve të cilët po kërkojnë trajtim në Klinikën Gjinekologjike.

Ai tregon për gjendjen e pacientes, e cila është konfirmuar me Covid-19.

Për momentin e kemi një paciente e cila dje e ka përfunduar lindjen është ende Covid pozitiv, ka lindur një fëmijë të shëndoshë. Sot i është marrë testi bebes që të vërtetohet nëse është edhe bebja e infektuar…Pacientja është nga regjioni i Prizrenit është në gjendje stabile, do të thotë është me parametra vital”, thotë Ismajli.

Në rast se foshnja rezulton negativ, Ismajli shton se sot do të lirohet edhe pacientja nga Prizreni, e cila duhet të vetëizolohet për dy javë. Veç tjerash, ai thekson se sot është testuar edhe një paciente tjetër, ndërkohë që javën e kaluar janë trajtuar tri paciente me koronavirus.

Drejtori i Klinikës Gjinekologjike u bën thirrje spitaleve regjionale që të mos ngarkojnë këtë klinikë, sepse sipas tij janë të stërngarkuar./abcnews.al