Ligji “për teatrin” kujton atë “për importin e mbetjeve”

schedule15:21 - 28 Korrik, 2018

schedule 15:21 - 28 Korrik, 2018

Rinisja e punimeve parlamentare do të përcaktojë dhe fatin e dekretit të Presidentit për ligjin e Teatrit Kombëtar. Miratimi i dekretit do të kthente ligjin në Kuvend në fazë diskutimi në komision, ndërsa rrëzimi i tij, do të çonte në hyrjen në fuqi të ligjit ashtu si u miratua në seancën parlamentare të 5 Korrikut.

Pas dekretit presidencial që ktheu për rishqyrtim ligjin për Teatrin Kombëtar, parlamenti pritet ta shqyrtojë atë në sesionin e ri te Kuvendit në Shtator.

Miratimi i dekretit do të kthente ligjin në Kuvend në fazë diskutimi në komision, ndërsa rrëzimi i tij ne seancë parlamentare, do të çonte në hyrjen në fuqi të ligjit ashtu si u miratua më 5 Korrik.

Ky i fundit është skenari i paralajmëruar nga mazhoranca, por kujtesa servir tjetër praktikë në rastet e mëparshme të një përplasjeje ‘President–Mazhorancë–Opinion publik’ për ligjet parlamentare.

Thuajse dy vjet më parë, mazhoranca e kohës PS–LSI miratoi në parlament ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, që si në rastin e ligjit “për Teatrin”, jo vetëm u vendos në qendër të debatit publik, por në fund tregoi edhe qëndrime të ndryshme të mazhorancës gjatë votimit.

Historia duket se po përsëritet me ligjin e Teatrit Kombëtar.

Pas përpilimit, kalimit me debate të ashpra mazhorancë–opozitë në komisione parlamentare, pas tryezash me grupe interesi të nxitura dhe organizuara edhe nga Presidenti i Republikës, ligji për importin e mbejteve mbeti vetëm në letër. Kjo pas kthimit të tij për ri-shqyrtim në Kuvend përmes dekretit “Nishani”.

Asokohe, 71 votat e mazhorancës u reduktuan në 63 “kartona jeshilë” për ligjin që i hapte rrugë importit të mbetjeve. I tillë ishte edhe fati i “teatrit” i cili u vulos me 75 nga 79 vota që ka sot mazhoranca parlamentare.

“Disidentët” e kohës, Ben Blushi, Mimoza Hafizi dhe Dashamir Peza, por edhe mungesa në seancë e (atëherë) kryetarit të kuvendit Ilir Meta, sot u zëvendësua me mungesën e Spartak Brahos, Paulin Stërkajt, Reme Lalës dhe largimin nga salla para votimit të Pandeli Majkos.

Reagimi i protestuesve jashtë sallës në dy rastet dënuan vendimin e ligjvënësit, duke marrë simpatinë e Presidencës, e cila në të dy rastet, mbajti krahun e shoqërisë civile.

“Shkelja e Kushtetutës” ishte dhe është sot një nga argumentat e dekretit që kthen ligjin në parlament. Reagimi i kohës i kryeministrit Edi Rama mbi dekretin “Nishani”, ngjan me atë të sotmin të kreut të grupit parlamentar socialist Taulant Balla për dekretin “Meta”.

E pavarësisht reagimit me shprehjen e preferuar të kohës “Qentë le të lehin, karvani ecën përpara” kryeministri Rama, edhe pse një vit me vonesë, miratoi dekretin “Nishani” dhe tërhoqi ligjin e mbetjeve që ndezi debat publik për thuajse një vit.

Sot ligji për teatrin duket se ndodhet në të njëjtën pikë. Por ndërsa në 2017-n opozita, grupet e interesit dhe opinioni publik kishin një gjyqtar të fundit për betejat e tyre, Gjykatën Kushtetuese, sot dekreti i presidentit Meta, që kthen ligjin për Teatrin Kombëtar për rishqyrtim është e vetmja rrugë institucionale përmes së cilës, mazhoranca mund ta tërheqë ligjin e kontestuar gjerësisht.

Do t’i mbetet çeljes së sesionit në shtator dhe votimit të dekretit, për ironi, në komisionin përgjegjës “Shalsi” ajo që do të tregojë nëse historia do të përsërisë vetveten./abcnews.al