“Për Serbinë, nisma e Ballkanit të Hapur është një zgjidhje më e mirë se integrimi evropian, sepse nuk do të duhet të heqë dorë nga lidhjet e saj me Rusinë dhe Kinën”, thotë analisti Dragomir Andjelkoviç gjatë një prononcimi për mediat në Beograd.
Ai shprehet më tej se pranimi i “Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës dhe Kosovës do të jetë vendimtar për të ardhmen e projektit. Nëse nuk anëtarësohen, kjo është gjysma e zgjidhjes”.
Andjelkoviç theksoi më tej se Ballkani i Hapur është si një zgjidhje e detyruar për shkak të ngërçit në integrimin evropian, që i jep Serbisë mundësinë për t’u lidhur me rajonin.
Presidenti serb Vuçiç deklaroi se njerëzit do të lëvizin më lirshëm dhe se do të kenë shumë më tepër mundësi për biznes dhe bashkëpunim të ndërsjellë me marrëveshjet e reja që janë firmosur.
“Dëgjuam biznesmenë serbë, biznesmenë shqiptarë, biznesmenë maqedonas. Këtë po e bëjmë me shumë energji dhe shumë besim, sepse e dimë se kjo do t’ua lehtësojë jetën qytetarëve tanë” tha ai.
Në Samitin e “Open Balkan” që u zhvillua dje në Tiranë u firmosën pesë marrëveshje./ Abcnews.al