Libia planifikon lirimin e 7 mijë emigrantëve

schedule11:54 - 5 Korrik, 2019

schedule 11:54 - 5 Korrik, 2019

Rreth 7 mijë emigrantë, të cilët ndodhen në qendrat e pritjes në Libi shumë shpejt mund të lirohen. Kjo pasi qeveria e vendit deklaroi se nuk mund të garantojë më sigurinë e tyre.

Qeveria e kryeministrit Fajez Al Saraj në Libi ka paralajmëruar se do të lërë të lirë të gjithë emigrantët e qendrave të pritjes pas masakrës së Tagiurës sepse siguria e tyre nuk mund të garantohet. Deklarata u bë nga ministri i Brendshëm Bashaga.

Mbyllja e mundshme e qendrave të pritjes përfshin 7 mijë persona nga të cilët 3 mijë ndodhen në Tripoli. Të dhënat janë konfirmuar nga burime të organizatës ndërkombëtare për emigrim. Ndërkohë dhe ushtria kombëtare e Libisë shprehu gatishmërinë për të marrë pjesë në operacionin e zmbrapsjes së qendrave të pritjes së emigrantëve.

Ndërkohë ministri i Jashtëm italian Moavero është takuar me zv/kryeministrin e Libisë për të analizuar situatën aktuale pas bombardimit tragjik të qendrës së pritjes së emigrantëve që shkaktoi shumë viktima dhe të plagosur.

Ministri italian konfirmoi mbështetjen italiane për veprimet e OKB në Libi, në mënyrë që të arrihet në një situatë të qëndrueshme. Ai i bëri apel Bashkimit Europian që të marrë një qëndrim të përbashkët dhe zyrtar për sa i përket kësaj çështjeje./ABC News Albania 24/7