Dibra dhe Gjirokastra humbasin nga një deputet

schedule15:34 - 30 Nëntor, 2020

schedule 15:34 - 30 Nëntor, 2020

Nga Esiona Konomi

Dibra dhe Gjirokastra janë dy qarqet e vetme ku do të ketë ndryshime në numrin e deputetëve që do të zgjidhen në 25 prill.

Tashmë është zyrtare. Parashikimet e partive zyrtarizohen nga Drejtoria e Gjendjes Civile, e cila ka informuar zyrtarisht KQZ-në për shtetasit me të drejtë vote, sipas kësaj shkrese të siguruar nga ABC.

Nga formula e përllogaritur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si në Dibër, ashtu edhe në Gjirokastër, do të humbet një mandat.

Pra, dibranët do të zgjedhin 5 dhe jo më 6 deputetë, ndërsa gjirokastritët, do të votojnë për 4, e jo më për 5 deputetë.

Në këtë projektvendim të KQZ-së, të dy këto mandate që bien për shkak të lëvizjes së popullsisë, i shtohen qarkut Tiranë. Banorët këtu do të zgjedhin tashmë jo 34, por 36 ligjvënës.

Referuar trendit të votave sipas rezultateve të 2017-ës, mandati i djegur në Dibër i ikën Partisë Demokratike, ndërsa ai në Gjirokastër i rrëzohet Partisë Socialiste.

Në Tiranë, sipas parashikimeve, dy mandatet e shtuara ndahen në mënyrë të barabartë, një PD e një PS.

Por lëvizjet e popullsisë dhe ndryshimet në gjendjen civile janë parë me dyshim në Komisionin Rregullator. Muharrem Çakaj kërkon llogaridhënie nga Ministria e Brendshme.

 “A impakton kjo në ditën e votimit një zgjedhës që figuron i regjistruar në Tiranë por nuk shkon dot në qendër votimi pasi i duhet të marrë letër njoftimin në Tropojë, Lushnje apo ku e ka. Në një mbledhje sa më të afërt të kishim prezent person atë nivelit drejtues të gjendjes civile që të na orienton drejt një fakti të tillë,”është shprehur ai.

Regjistri përfundimtar i zgjedhësve pritet të botohet në mes të muajit mars. /abcnews.al