Levante mund Barçën, shkëlqen Bardhi

schedule12:35 - 14 Maj, 2018

schedule 12:35 - 14 Maj, 2018

Barcelona pësoi një disfatë të rëndë në fushën e Levantes dhe nuk arriti ta mbyllte pa asnjë humbje kampionatin spanjoll. Në mungesë të vendasve, ishte një lojtar që flet shqip për të bërë rolin e protagonistit

U desh një shqiptar që të ndodhte mrekullia.

Emri i tij ishte Enis Bardhi dhe paraqitja e tij spektakolare për Levanten bëri që Barcelona të mos e realizonte misionin e madh të këtij sezoni.

Katalanasit humbën 4-5, disfata e parë në kampionatin spanjoll, që iu shkaktua pikërisht në ndeshjen e fundit, duke mos ia dalë të arrinte një rekord të jashtëzakonshëm, atë të një edicioni të tërë pa humbje në La Liga.

Bardhi, shqiptari i Maqedonisë, shënoi dy gola dhe shërbeu edhe një asist, në një përballje që u duk sikur nuk ishte reale.

Në mungesë të Lionel Mesit, ishte pikërisht talenti 22-vjeçar që luajti rolin e protagonistit duke shkëlqyer më së shumti në fushën e lojës.

Shoku i tij i skuadrës, Emanuel Boateng, shënoi më shumë gola sesa ai, plot 3, veçse sulmuesi ishte më së shumti një finalizues, ndërsa Bardhi ishte njeriu që krijoi më së shumti spektaklin.

Shkupjani dhe shokët e tij ishin shkaktarët e një tronditjeje të madhe për Barcelonën, duke i shkaktuar atë që quhet katastrofa e dytë e sezonit, pas eleminimit nga Liga e Kampionëve për shkak të Romës.

Lavdia e fituesve bëhet më e madhe kur mendon se ata luajtën thjesht për tifozët e tyre dhe për të respektuar futbollin, pasi as nuk rrezikonin të binin nga kategoria, dhe as synonin kualifikim për në kupat e Europës.

Disfata në fushën e Levantes, ndërkaq, ngre pikëpyetje të mëdha për skuadrën e trajnerit Ernesto Valverde.

Varësia nga Mesi duket kaq e madhe, saqë të frikëson një e ardhme e katalanasve pa argjentinasin në formacion.

Aq më tepër tani, kur pas legjendës Ksavi, u largua edhe legjenda tjetër, Andres Iniesta, që luajti ndeshjen e fundit me fanelën “blaugrana”.

Sidoqoftë, momenti është për të vlerësuar heroizmin e Levantes dhe të Enis Bardhit./abcnews.al