Lejet e ndërtimit, Veliaj: Kritikët, analistë në rrogë të një ndërtuesi

schedule21:37 - 25 Prill, 2019

schedule 21:37 - 25 Prill, 2019

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi se gjysma e lejeve që ka dhënë ai janë punë publike. I ftuar në emisionin “Mbrëmje ABC”, ai theksoi se Tirana shtohet çdo vit me 25 mijë familje të reja, të cilat kanë nevojë për 4-5 mijë apartamente.

Kryebashkiaku u ktheu përgjigje edhe kritikëve, sipas të cilit, janë analistë në rrogë të një ndërtuesi.

“Nëse ka ndërtesa bosh të bëra në kundërshtim me ligjin kurrë mos u shitshin. Nuk i kemi fare në llogari. Kullat në qendër të Tiranës nuk ia zënë diellin askujt. Kritikët janë të gjithë analistë në rrogë të një ndërtuesi dhe e kuptoj filmin. Pra, ti e kupton që një ndërtuesi nuk i intereson të ketë ndërtime të tjera se do ta mbajë çmimin e lartë, se po të ketë ofertë çmimet mbahen të balancuara në Tiranë. Tirana shtohet çdo vit me 25 mijë banorë, do të thotë se ka nevojë për 4-5 mijë apartamente. Nëse nuk jemi aktivë të ruajmë balancën mes kërkesës dhe ofertës atëherë të marrësh një apartament në Tiranë është si të marrësh një apartament në Londër. Ndërkohë për çiftet e reja, ku vetëm Bashkia e Tiranës jep 1 mijë kredi të buta në vit, do qe e pamundur të vinte në Tiranë”, deklaroi Veliaj përballë gazetares Mirela Milori.

Për sa i përket strategjisë së katër viteve të ardhshme për ndërtimet në kryeqytet, Veliaj nënvizoi se qendra do të jetë një nga më energjiket në rajon. Por për ta realizuar këtë sipas tij duhet të ketë një teatër modern si edhe të mirëpresim investimet e gjigandëve ndërkombëtarë.

“Tirana do ketë një nga qendrat e qyteteve më energjike të rajonit tonë. Nëse ne duam të jemi sot jo vetëm një qytet folklorik i shqiptarëve, por edhe ekonomik, social edhe i artit dhe i kulturës, duhet të ketë një teatër modern, do duhet të ketë hotele me 5 yje. Ardhja e Marriot, Hayat, Meliot, 4 Season janë lajme super për Tiranën. Unë shoh kryetarë bashkie që shtrihen barkas përpra investitorëve aman bëjeni”, tha Veliaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!