LDK në pritje të rezultatit zyrtar për të biseduar me LVV

schedule16:30 - 8 Tetor, 2019

schedule 16:30 - 8 Tetor, 2019

Ende asgjë zyrtare në Kosovë për nisjen e negociatave LVV-LDK për formimin e një koalicioni qeverisë. Haradinaj nuk e sheh veten në pushtet me Kurtin. Tri parti politike kanë bërë ankesa për parregullsi.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike ende nuk ka nisur negociatat për formimin e një koalicioni qeverisës, së paku jo publikisht. Asnjë deklaratë nga asnjëra këto dy parti për takime të mundshme. LDK ka thënë se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim pa publikimin e rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja.

Madje kjo parti si dhe dy parti të tjera PDK dhe Nisma Socialdemokrate kanë dërguar ankesa nga PZAP. Sipas kryesuesit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ankesat e këtyre partive kanë të bëjnë me pretendimet se formularët e rezultateve të kandidatëve nuk kanë qenë në rregull dhe votat nuk janë regjistruar ashtu siç duhet.

Ndërkohë kryetari i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj ka lënë të kuptohet se nuk do të bashkëqeverisë me Kurtin, madje duke e quajtur atë mashtrues. Misioni vëzhgues i BE-së ka kritikuar Listën Serbe për garë jo fer. Ndërsa zgjedhjet në përgjithësi i konsideron transparente.

“Këto zgjedhje ishin të administruara mirë dhe transparente. Fushata ishte e gjallë dhe konkurruese duke i lejuar garuesve që të bëjnë fushatë lirshëm në Kosovë. Ambienti i fushatës në veri u cenua nga frikësimi, duke vënë në shënjestër kandidatët dhe përkrahësit që nuk ishin rreshtuar me Listën Serbe”.

Ky mision gjithashtu ka vënë në pah keqpërdorimin e resurseve publike dhe mungesën e transparencës rreth financimit të fushatës që sipas tyre rezultuan në një fushë lojë të pabarabartë në gjithë Kosovën.

Kosova të dielën mbajti zgjedhjet e parakohshme parlamentare pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!