LDK në Kosovë i jep dritën jeshile kryetarit Mustafa për të negociuar me Albin Kurtin

schedule16:30 - 24 Gusht, 2019

schedule 16:30 - 24 Gusht, 2019

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mandatuar kreun e partisë Isa Mustafën që të negociojë me Lëvizjen Vetëvendosje për një koalicion të mundshëm parazgjedhor. Kjo parti as pas kësaj mbledhje nuk ka dalë me kandidat për kryeministër.

Rreth tri orë ka zgjatur mbledhja e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës ku pritej që kjo parti të dalë me emrin e kandidatit për kryeministër.

Ky vendim pritet të merret të hënën, në takimin e radhës së kryesisë së kësaj partie.

Vjosa Osmani, Agim Veliu, Lutfi Haziri e Abdullah Hoti janë emrat që janë lakuar për kandidat të mundshëm për kryeministër nga kjo parti në këto zgjedhje të parakohshme.

Mbledhjen e sotme të kryesisë e bojkotuan Agim Veliu e Lutfi Haziri.

Sido që të jetë në këtë mbledhje është mandatuar kreu i partisë Isa Mustafa që të vazhdojë negociatat për koalicione të mundshme parazgjedhore.

Tashmë dihet se kjo parti është duke vazhduar negociatat me Lëvizjen Vetëvendosje për një koalicion të mundshëm parazgjedhor por ende nuk i kanë sqaruar detajet se i cilës parti do të jetë kandidati për kryeministër. LVV e as LDK nuk po lëshojnë rreth këtij posti.

Megjithatë pas mbledhjes së kryesisë zëdhënësi i partisë Besian Mustafa ka thënë se kryesia e LDK-së ka vlerësuar  që në asnjë rrethanë nuk do të ketë koalicion parazgjedhor me Partinë Demokratike të Kosovës.

Ky vendim i kryesisë së LDK-së do t’i propozohet Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie për votim.

Kosova shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit dhe votimit të deputetëve për shpërbërjen e parlamentit. /ABC news Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!