TIRANË- Aktori Timo Flloko ka kryer homazhe në nder të regjisorit Dhimitër Anagnosti, i cili u nda nga jeta të hënën në moshën 89-vjeçare duke lënë pas një kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e artit dhe skenës.
Ai theksoi se Anagnosti do mbetet një korife i shquar i artit shqiptar.
Sipas tij, Anagnosti solli në art vlerat më të vyera të kombit dhe për këtë do mbetet në memorien e përhershme të artdashësve.
“Dhimtër Anagnosti e ka vrarë vdekjen e tij. Ai solli në artin shqiptar vlerat më të vyera të kombit të vet, të cilat i pasqyroi në vepra artistike. Luajti një rol të rëndësishëm dhe të veçantë në emancipimin e lojës së aktorit. Ne, aktorët, i jemi borxhli për këtë gjë. Ai është përherë këtu mes nesh, është një korife i artit shqiptar dhe do mbetet i paharruar ngahera”, theksoi ai.
Kineasti Anagnosti do të prehet sipas amanetit në vendlindjen e tij, në Vuno.
Ndër filmat e tij më të njohur janë “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrallë nga e kaluara”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, “Gurët e shtëpisë sime”, “Gjoleka, djali i Abazit”, me të cilin u nderua me dy çmime ndërkombëtare në Itali.
/abcnews.al

