Familjarë, miq dhe artistë i kanë dhënë lamtumirën aktorit të njohur të kinematografisë shqiptare Xhevdet Ferri. Mes lotësh dhe dhimbjes, miqtë dhe bashkëpuntorët ndajnë kujtimet për “ABC News”.
Përmes një ceremonie familjare, u përcoll për në banesën e fundit aktori i njohur i kinematografisë shqiptare Xhevdet Ferri. Miku i tij i jetës dhe artit Ndriçim Xhepa e cilëson ditë të trishtë dhe gati të pabesueshme largimin e Xhevdet Ferrit në moshën 59-vjeçare, pas një beteje me një sëmundje të rëndë.
“Në kontaktin e fundit në spital pashë një gjendje të rëndë e cila e vërtetoi dhe nuk mbushën 24 orë dhe ai mbylli sytë. Një mik i mirë, një djalë me vlera, me aftësi profesionale sidomos në fushën e filmit”, u shpreh Ndriçim Xhepa.
Aktorja Rajmonda Bulku, duke iu referuar edhe fotografisë të lajmërimit të vdekjes thotë se kjo ishte një ikje e parakohëshme.
“Për të gjithë do të vijë një ditë, por sa mirë do të ishte të kishte një rradhë, jo kaq shpejt, Xhevdeti ishte shumë i për të bërë gjëra shumë të bukura”, u shpreh ajo.
Regjisori Vladimir Prifti ka bashkëpunuar në tre filma, por ai veçon disa role të skalitura me thjeshtësi dhe mençuri prej tij
“Vitet e pritjes” është një figurë shumë intereante, ndërsa “Delegacioni” ishte prap një film interesant”, u shpreh Prifti.
Ndërkohë Xhevdet Ferri për Besnik Bishën, arriti të bëhej i dashur , përmes roleve të tij në familjet e çdo shqiptari.
“Iku një njeri i cili nuk i përkiste vetëm familjes, por gjithë shoqërisë ishte bërë prezent në familje me filmat e tij, me mençurinë e tij”, tha Bisha.
Ferri, përveç kontributit të çmuar si aktor, ka kontribuar edhe në themelimin e disa prej institucioneve të rëndësishme të kinematografisë. Ai ka qenë kryetar i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë (1997-1998 dhe 2005-2009) apo ish-anëtar i Këshillit Miratues të Projekteve, ku arriti të tregojë edhe një herë përkushtimin e tij, për ta çuar filmin shqiptar në një tjetër nivel.
“Kemi krijuar Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, bashkëpunimi ka qënë pothuajse i përditshmëm,” u shpreh Petrit Beci.
Gjithashtu ai ka drejtuar edhe Teatrin Kombëtar. Krahas kontributit të tij të madh në fushën e artit e kulturës, Ferri ka qenë edhe deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin Popullor në vitet e trazuara 1996-1997.
Në ceremonionë private morën pjesë aktorë, regjisorë, ish nxënës të tij dhe dashamirës të artit si dhe Ministrja e Kulturës.
Për herë të fundit publiku arriti ta shikonte në filmin “Delegacioni”, me regji të Bujar Alimanit, film i cili u nominua edhe për “Oscar”./abcnews.al