I gjithë bregdeti i jugut është i paregjistruar. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Legalizimit Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave apo Ndërtimeve Informale thotë se ka një arsye.
Artan Lame: “Është lënë për t’u shqyer dhe ja kanë dalë, ka funksionuar”.
I njëjti fenomen, por jo në këto permasa është edhe në zona të tjera. Artan Lame tregon ku problematika është më e mprehtë.
Artan Lame: “Velipoja, Shëngjini, Ishuill Lezhës, Gjiri i Lalzit, zona e Kavajës, bregdeti i Semanit, i Nartës, Orikumi dhe gjithë bregdeti i jugut”.
Për të përvetësuar pronat në bregdet janë përdorur mënyra të ndryshme. Ligji 7501 që do të duhej t’i ndante tokën e ish-kooperativave bujqësore anëtarëve të tyre është keqpërdorur. Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNIT sqaroi rrugët e ndjekura.
Artan Lame: “Rruga e parë është pajisja me Aktin e Tokës në pronësi i familjes bujqësore e pastaj e ndanin mes anëtarëve. E dyta, pajisja me tokë e atyre që s’kanë qenë në fshat në ’91-shin. E treta ndryshimi i zërit kadastral i tokës, tjetër ishte ndarja e zonave pas 2008-s”.
Përgjegjësitë, Lame i gjen tek të majtët dhe të djathtët. Ndërkohë një grup do të nisë kontrollet përgjatë vijës bregdetarë në Durrës dhe Sarandë. Rezultatet e tyre do t’i kalojnë task-forcës së ngritur nga Kryeministri, e cila vendos për pezullimin e akteve të pronësisë mbi tokën.