Lame: 80% e pasurive janë regjistruar keq, shumica e hartave janë të grisura

schedule19:30 - 21 Korrik, 2019

schedule 19:30 - 21 Korrik, 2019

Mungesa apo dëmtimi i hartave të pronave të gjirokastritëve është një ndër problemet me të cilat po ndeshet Kadastra Shqiptare. Drejtori i përgjithshëm i këtij institucioni Artan Lame është shprehur se ndonëse janë shpenzuar rreth 150 milionë euro në 30 vitet e fundit, 80 përqind e pasurive janë regjistruar me probleme.

Në këtë hartë janë pronat e gjirokastritëve. Nuk është e vjetër por e 30 viteve të fundit nënvizoi drejtori i përgjithshëm i Kadastrës.

Sfidë të radhës e konsideron Artan Lame kalimin nga një kopje e një harte të grisur në sistemin dixhital.

“Tre dekada po mundohemi të bëjmë letra dhe hiç. 80% e pasurive janë regjistruara me probleme, shumica e hartave janë në gjendje të tmerrshme. Janë investuar 150 milionë euro në këto 30 vjet dhe kjo është situata. Kemi keqmenaxhim. Është mungesë totale e dëshirës për ti dhënë zgjidhje themeleve të një vendi”.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët në Gjirokastër, drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame tha se procesi i regjistrimit të tokave bujqësore ka filluar që të marrin shtratin e duhur edhe pse ka 30 vjet që ka nisur si proces, por që tani po finalizohet.

 “Për dy vjet bëjmë 30 vjetorin e procesit për regjistrimin e tokave bujqësore. Procesi i regjistrimit të tokave në fshat është pothuajse në nivelin gjysmë për gjysmë, që do thotë gjysma e familjeve fshatare e kanë tokën të paregjistruar, që do të thotë e ka të mbyllur derën e shtetit për të marrë një subvencion, për të marrë një kredi apo edhe ta shesin”.

Drejtori Lame tha se janë 2500 pasuri të regjistruara në tre zona kadastrave siç janë Zhulati, Fushbardha dhe Taroninë. Të njëjtin fat nuk do ta kenë ata që presin të legalizojnë ndërtimet në zonat e mbrojtura.

“Legalizim në zonën e mbrojtur të UNESCO nuk mund të bëhen, aq më tepër kur shtesat apo ndërtimet nuk kanë lidhje me arkitekturën e vjetër”.

Gjirokastra ka avancuar në pjesën e regjistrimit të tokave, dhe aktualisht është  në fazën e mbylljes së këtij procesi./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!