Lacio proteston pas penalltisë së padhënë kundër Kaljarit

schedule12:36 - 12 Mars, 2018

schedule 12:36 - 12 Mars, 2018

Ka pakënaqësi për përdorimin e teknologjisë në Serinë A italiane. Lacio akuzon gjyqtarët, se po e dëmtojnë duke i rrezikuar kualifikimin për në Ligën e Kampionëve.

Ishte autor i një goli të cilësuar “super” apo stër të bukur.

Çiro Imobile pati lumturinë e pamasë që të shpëtonte Lacion e tij nga humbja në ndeshjen e Serisë A në fushën e Kaljarit, por gëzimi nuk ishte i plotë për ato që kishin ndodhur më parë.

Sulmuesi kryesor i skuadrës pretendoi me të drejtë për një 11-metërsh, kur rezultati ishte 1-0 për Kaljarin.

Dy mbrojtës vendas e futën Imobilen në mes dhe e rrëzuan, pa u interesuar aspak për topin, veçse për gjyqtarin e garës nuk ishin kushtet për të dhënë penallti, madje as nuk shkoi të shikonte pamjet me ngadalësim.

Vetë lojtari me numrin 17 në shpinë, u shpreh i acaruar me mënyrën sesi përdoret sistemi i teknologjisë, VAR, në Serinë A.

“Ndaj meje ishte penallti e pastër, – u shpreh ai pas ndeshjes, – përse për Lacion nuk e shohin kurrë VAR-in”.

Edhe trajneri Simone Inzagi ishte tepër i pakënaqur, madje jo vetëm për këtë ndeshje në Kaljari.

Inzagi: “Për atë që dhamë në fushë meritonim më shumë, por episodet e dyshimtë, kohët e fundit, I kemi të gjithë kundër. Nuk dua të flas për më sistemin VAR, pasi e kam thënë mendimin tim që 3-4 muaj më parë. Nuk fola as pas ndeshjes me Juventusin, kur nuk na u dha një penallti e pastër 20 minuta para fundit, nuk dua të flas as sot, sepse më duket sikur do t’u jap justifikime lojtarëve të mi që të pranojnë humbjet. Gjithsesi, në 3-4 muaj kemi qenë krejtësisht të pafat në përdorimin e VAR-it”.

Një nga momentet për të cilët flet Inzagi ndodhi në ndeshjen ndaj Juventusit, të humbur në fund 0-1.

Ndaj Lukas Leivës u bë ndërhyrje e gabuar në zonë nga Medi Benatia, por gjyqtari nuk dha sërish penallti, dhe as nuk u këshillua me VAR-in.

Lacio lufton për një vend në Champions, por mendon se faktorë të jashtëm po i prishin punë në favor të skuadrave të tjera.

Imobile, ndërkaq, me rrjetën e shënuar në Kaljari, barazoi rekordin e Lacios për golat në një sezon, rekord që e ka bashkë me Xhorxho Kinalian, me 34 të tillë.

Sulmuesi ka mundësi që ta thyejë në ndeshjet e ardhshme. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!