Laçi tris dhe “rekord”, Flamurtari nuk reziston dot

schedule15:24 - 8 Dhjetor, 2019

schedule 15:24 - 8 Dhjetor, 2019

Laçi është rikthyer te fitorja, pasi ka mundur me rezultatin 3-0 Flamurtarin e vendit të fundit. Vlonjatët rezistuan në 45 minutat e para, por në të dytën kurbinasit shënuan shpejt me Shehun dhe balanca ndryshoi. Nweabueze me penallti dhe Teco i shënuan edhe dy herë të tjera kuqezinjve dhe Laçi bëhet skuadra me sulmin më të mirë (22 gola) pas 14 javësh kampionat. Skuadra e Cungut ka shkuar në kuotën e 22 pikëve, duke u renditur në vendin e katërt. Flamurtari mbetet i fundit, me pesë pikë.

NDESHJA – Flamurtari ishte i vendosur mirë në fushë dhe i kishte marrë masat për të ndalur sulmuesin Kyrian Nwabueze.  Amerikani në fillim u shfaq rrezikshëm, duke pasuar për Deliun. Kavajasi e devijua topin, por Moçka e shmangu golin dhe mbeti i dëmtuar. Xhixha, Shehu dhe Lushkja u munduan të rrezikojnë portën e vlonjatëve, por nuk kishin shënjestrën e duhur.

Flamurtari në krahun tjetër nuk qëndroi duarkryq, pasi në një kundërsulm goditi traversën me Vatnikajn. Laçi u përpoq ta zhbllokonte ndeshjen deri në fund të 45 minutave të para, por pa sukses. Vlonjatët u mbrojtën mirë dhe skuadrat u drejtuan drejt dhomave të zhveshjes duke lënë në fuqi rezultatin fillestar.

Kurbinasit u futën me marsh tjetër në pjesën e dytë dhe ishte Shehu, i cili shënoi direkt. Teco krosoi në zonë, aty ku Gjoni me kokë e dërgoi topin në tranversë dhe më pas mesfushori i Laçit me një goditje të menjëhershme mposhti Moçkën.

Skuadra e drejtuar nga Armando Cungu u hodh në sulm për të shënuar edhe golin e dytë. Xhixha, Gjoni dhe Shehu rrezikuan, por goli erdhi me penallti në minutën e 58-të. Lushkja u ndal në mënyrë të parregullt brenda zonës dhe Nwabueze nga pika e bardhë u tregua i saktë. Laçi nuk u mjaftua me kaq dhe shënoi edhe golin e tretë me braziliani Teco. Rezultati mund të ishte thelluar edhe më shumë, por Nwabueze ishte i pasaktë në fund dhe ndeshja u mbyll me rezultatin 3-0. /abcnews.al