Laboratorët francezë gati, fillojnë prodhimin e vaksinave Moderna, Pfizer Covid-19

schedule12:58 - 3 Shkurt, 2021

schedule 12:58 - 3 Shkurt, 2021

Presidenti francez, Emmanuel Macron njoftoi mbrëmjen e së martes se prodhimi  i vaksinave kundër koronavirusit në Francë do të fillojë nga “ fundi i shkurtit, fillimi i marsit”.

“Dy ndërmarrje farmaceutike franceze do të fillojnë të prodhojnë vaksinën e Modernas kundër Covid-19 në muajin mars dhe atë të Pfizer / BioNTech në prill”, theksoi ministrja e Industrisë, Agnès Pannier.

Macron specifikoi se në prodhimin e vaksinës do të marrin pjesë katër qendra të ndryshme të prodhimit. Ai tha se me vaksinat antiCovid duhet të furnizohen edhe vendet e varfra.

“Ne duhet të mendojmë edhe për vendet në zhvillim. Nëse njerëzit nuk vaksinohen në ato vende, virusi do të godasë padrejtësisht njerëzit më të varfër dhe më pas COVID do të kthehet sërish në vendet tona.”

Sipas Macron, pengesa kryesore është kapaciteti i prodhimit.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm Jean-Yves Le Drian tha se vaksina Sputnik V mund të përdoret në Francë për sa kohë që plotëson “normat shkencore” dhe “standardet” europiane. Studiuesit rusë thonë se një provë e vaksinës Sputnik V zbuloi se ajo ishte 91% efektive, sipas një studimi të botuar nga revista mjekësore britanike Lancet.

Franca shpreson të shmangë një bllokim të ri kombëtar ndërsa numri i rasteve të koronavirusit  vazhdon të rritet. Gjatë 24 orëve të fundit u raportuan 404 viktima./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!