U largua pas 5 vitesh si nënkryetar i bashkisë së Durrësit, oferta elektorale e Florian Tahirit

schedule08:52 - 22 Mars, 2021

schedule 08:52 - 22 Mars, 2021

I ftuar në “Abc-ja e Mëngjesit” këtë të hënë Florian Tahiri ka treguar pse la detyrën si nënkryetar i Bashkisë Durrës për të kandiduar për deputet nga radhët e PDIU-së. Në një bisedë me Enkel Demin, Tahiri tregoi se për të përparësi ka çështja çame.

“Zgjidhja e çështjes çame ishte shtysa kryesore që më bëri të lija postin e nënkryetarit. E kisha përparësi të merresha me çështjen çame.”

Siç u shpreh edhe Enkel Demi gjatë bisedës, në këto vite që ka qenë në pushtet Floriani s’u ka marrë asnjëherë qytetarëve para për shërbime që atyre u takojnë me të drejtë. Tahiri tregon se është krenar që mbajtja e dyerve hapur për qytetarët ka qenë dhe është filozofia që ai ndjek.

“Kam ndjekur një filozofi me dyer të hapur. Telefoni im ka qenë gjithnjë hapur. Përveç ditëve të tërmetit. Për një javë kam fjetur në makinë, shtëpinë e kam pasur të dëmtuar nga tërmeti. I kam larguar të fëmijët tek vjehrri e vjehrra në Tiranë, vetë pa pushim në shërbim të qytetarëve. Nuk kam pranuar kurrë një kafe apo diçka të tillë nga dikush, nuk ma lejon etika dhe morali.”

I pyetur sesi do të veprojë ai për të “shuar” situatën e nxehtë elektorale në Durrës, Tahiri tha se do të bëjë të kundërtën që ka bërë partia në pushtet.

“Do bëjmë totalisht të kundërtën. U ofroj qytetarëve të Durrësit ndershmëri qytetari, program e vizion. Programi që PDIU ka një plan konkret, për trashëgiminë kulturore, për çështjen çame, për nxitjen e ekonimisë..300 mijë vende punë janë liruar se po kaq njerëz janë larguar nga Shqipëria.”

Tahiri u shpreh i bindur se qytetarët e Durrësit do të dinë që ta përdorin votën e tyre më 25 prill në mënyrën e duhur.

“Me 25 prill, qytetarët e Durrësit, e kanë treguar gjithmonë që janë të prirur për ndryshim. Kur pushteti është bërë arrogant e kanë ndëshkuar me votë.”

Po ashtu, Floriani është i bindur që do të ketë edhe mbështetjen e komunitetit çam në Durrës.

“Shpresoj që çamët të ndihen krenarë dhe të mos harrojnë Florian Tahirin.” sb/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!