Parlamenti ka rrëzuar dekretin e Presidentit të Republikës që ktheu për rishqyrtimin ligjin për tatimin mbi të ardhurat për lojrat e fatit. Sipas Ministrit të Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj, kryetarin e shtetit e kanë këshilluar gabim. Ndërsa kryetari i komisionit të ekonomisë Erjon Braçe ka kërkuar Vetting për pronarët e lojrave të fatit.
Presidenti e ka kundërshtuar me argumentat e tij ligjin për tatimin mbi të ardhurat për lojrat e fatit. Ky dekret i presidentit u kundërshtua nga ministri i financave dhe ekonomisë Arben Ahmetaj.
Arben Ahmetaj: “Një qytetar që më dëgjon mua thotë se si ka mundësi që Presidenti e ka rrëzuar këtë ligj? Është kundër bujqësisisë? Është kundër biznesit? Jo. Unë besoj që në dekretin e Presidentit ka një keqkuptim, dikush e ka këshilluar gabim. Ajo që ne bëjmë këtu është e thjeshtë, ne rrisim tatim fitimin e Lotarisë Kombëtare nga 10 në 15%. Pra unifikuam taksimin, si mund ta linim ne të taksohej me pak, i gjithë debati tjetër është qesharak.”
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj përsëriti thirrjen ndaj kompanive të kazinove elektronike që të përgatiten për zhvendosje larg qendrave të banuara.
“Ju kujtoj që nga 1 janar 2019 kazinotë elektronike do largohen nga qendrat e banuara. Nuk ka asnjë shans të shtyhet ky afat. I kërkoj kompanive të përgatisin largimin nga qyteti dhe zonat e banuara”.
Kryetari i komisionit të financave dhe ekonomisë Erion Braçe tregohet edhe më i ashpër ndaj pronarëve të lojrave të fatit.
Erion Braçe: “Ligji ka kufizime të sakta për dëshminë e penalitetit të secilit prej pronarëve të kompanive të lojërave të fatit. Është momenti për ta thënë me plot gojën se në këtë segment të biznesit ka hyrë edhe krimi i organizuar, po përdoret edhe paraja e pisët edhe pa asnjë lloj diskutimi do të duhet që të gjitha agjensitë ligjzbatuese të shtetit të bëjnë atë që është themelore tani: hetim për të gjithë pronarët e lojrave të fatit.”
Një tjetër projekt ligj që nuk kërkonte domosdoshmërisht votat e opozitës ishte ai për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë. Nëpërmjet shpërndarjes së këstit të 9, mbyllet e gjithë pjesa e kategorisë parësore, të cilët janë ata që kanë vuajtur drejtpërsëdrejti dënimin./abcnews.al