15 vite në pritje të drejtësisë, së vjetër dhe të re, xhaxhai i viktimës Aleks Nika, Mark Nika shkoi këtë të enjte në Kuvend për të kërkuar ndihmë për zbardhjen e plotë të vrasjeve të 21 janarit.
Mark Nika është takuar në zyrën e kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla për ti shprehur shqetësimet për procesin ne SPAK. Për ABC News, Balla konfirmon takimin dhe shqetësimet që i ka komunikuar Nika për 21 janarin.
“Ndau shqetësime lidhur me moszbatimin e vendimit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe 21 janarin”-tha Balla.
Mësohet gjithashtu se Nika ka kërkuar mbështetjen e Kuvendit qoftë dhe me një rezolutë për ti bërë thirrje SPAK të zbardhë plotësisht ngjarjen pa vonesa.
Kanë kaluar 2 vite e gjysëm nga vendimi i Gjykatës së Strasburgut dhe 2 vite nga Gjykata e Lartë, të cilat urdhëruan zbulimin e autoriëve të vërtetë të 4 vrasjeve të 21 janarit të vitit 2011.
Por duket se hetimet kanë ngecur, SPAK nuk ka ende një konkluzion. Tre javë më parë, Mark Nika takoi kreun e ri të SPAK, Klodian Brahon për ti shprehur të njëjtat shqetësime, zvarritjen e procesit dhe zbardhjes së plotë të ngjarjes.
Me rihapjen e dosjes 21 janari, SPAK po zhvillon hetime prej 2 vitesh. Prokuroria ka marrë në pyetje disa ish-zyrtarë të lartë, me në krye ish-kryeministrin Sali Berisha, kundër të cilit u zhvillua demonstrate e e 15 viteve më parë, ndërsa ai në qeveri, i shihte nga dritarja e zyrës në kryeministri.
Po ashtu në pyetje janë marrë edhe ish-zv.kryeministri i kohës Ilir Meta, pas videopërgjimit të të cilit u thirr edhe demonstrata, si dhe ish-presidenti Bamir Topi dhe ish-ministri i brendshëm, Lulzim Basha.
Por prej atyre dëshmive, për 21 janarin ka vetëm heshtje./abcnews.al


