Kuvendi drejt “armëpushimit”/ PS negociata me Rithemelimin për t’i dhënë komisione hetimore

schedule15:28 - 7 Mars, 2024

schedule 15:28 - 7 Mars, 2024

TIRANË- Pas zhurmuesve, ka jetë. Kaosi i të enjtes mund të jetë i fundit, nëse disa negociata që po zhvillohen mes mazhorancës dhe një pjese të opozitës, do të kenë sukses.

ABC News ka mësuar se Partia Socialiste po komunikon me Gazmend Bardhin për të relaksuar situatën në Kuvend, duke i dhënë Rithemelimit diçka që do të justifikonte armëpushimin.

Bardhi, tashmë i riatdhesuar në selinë blu, ka pasur tre kërkesa. E para, ajo e njohjes së tij si kryetar grupi, është një element të cilin PS prej muajsh nuk e vendos në diskutim dhe këtë funksion Bardhi e ushtron në organet e Kuvendit.

Kërkesa e dytë ka të bëjë me komisionet hetimore. Siç pohojnë burime të të dyja kampeve, Rithemelimi do të rikërkojë një komision hetimor, tema e të cilit nuk bëhet me dije, dhe Partia Socialiste do t’ia pranojë.

Bardhi do të ketë një kartë fitoreje teke për ta tundur, ndërsa do të pranojë në heshtje ligjin e ri për hetimet parlamentare, të cilin ai vetë e ka çuar në Gjykaten Kushtetuese.

Kërkesa e tretë e opozitarëve që bllokojnë Kuvendin, është ajo e reformës zgjedhore. Rithemelimi kërkon largimin e Alibeajt dhe vendosjen në karrigen e bashkëkryetarit të Oerd Bylykbashit. Kryetarja e kuvendit thotë se vendi i takon formalisht Alibeajt, por koha mund të veprojë në favor të Bardhit.

Komisionit me dybashkëkryetarë i përfundon mandati në fund të këtij muaji, e nëse nuk ka produkt për një reformë zgjedhore konsensuale, ai mund të shkrihet dhe reforma mund të kalojë në komisionin e ligjeve, aty ku Alibeaj është anëtar, por nuk mund të vendosë veton e tij.

Sigurisht që një veprim i tillë do të sillte reagimin e Partisë Demokratike, e cila aftësinë e saj për të informuar ndërkombëtaret, nuk e ka humbur akoma. Dhe alarmi për reformën zgjedhore, një vit para zgjedhjeve do ishte një pretekst i mjaftueshëm që Lulzim Basha të rikthehej në parlament e të hidhte akuzën e bashkëpunimit me Ramën, nga kurrizi i tij, tek ballkoni i Sali Berishës. /abcnews.al