Kuturmani dikur një fshat me 300 shtëpi, sot i braktisur

schedule14:35 - 3 Mars, 2019

schedule 14:35 - 3 Mars, 2019

Një nga fshatrat më të hershme të vendit, që për shumë epoka ka qenë edhe nga më të pasurit me faunën, florën dhe prodhimet bujqësore, sot është kthyer në një zonë shkretëtirë. Të rinjtë e kanë braktisur, shumë familje gjithashtu. Kanë mbetur vetëm disa pleq që krasisin pemët. 

I banuar që në shekullin V para Krishtit, sot Kuturmani është braktisur. E gjithë zona përmes së cilës gjenden  gjurmët e rrugës Egantia ka marrë pamjen e shkretëtirës. Jo më larg se 30 vjet ishte nga fshatrat më të bukura dhe me shumë prodhim. Lumi Rrapun po shterron nga HEC-et dhe banorët vuajnë për ujë të pijshëm e për vaditje.

“Ka pasur prodhimtari e ujë. Kishte shumë ujëra, tani nuk ka asnjë nga këto”.

Bën pjesë në zonat e mbrojtura, por sot në Kutarmani jetojnë vetëm disa pleq. Familje të tëra janë larguar. Tetë km larg qytetit, s’ka me faunën dhe florën e dikurshme. S’ka më atë rezervatin e gjuetisë, për ish kryeministrin e diktaturës Mehmet Shehun. Të rinjtë kane ikur te gjithe

“Tre çuna e një gocë kam unë kanë ik nga Greqi. Në familje vetëm unë e plaka, ndërsa ata në emigracion”.

“Ky ka qenë fshat i madh me 300 shtepi kanë ik të gjithë në kurbet”.

Nga më shumë se dy mijë banorë, sot nuk numërohen më shume se 50 familje. Janë vetëm të moshuar. Thonë se edhe ata duan të ikin, po s’kanë ku.

“Këtu kishte 60-70 fëmiëj që shkonin në shkollë kurse shkollat po mbyllen tani”.

Shtëpitë janë bosh. Kjo bibliotekë trazohet nga ndokush që kalon rastësisht këtu. Ndonjë i afërm i familjes së ikur, ndoshta. Kurse nëna me shami të bardhë në kokë shikon përherë nga rruga. S’ka më asnjë shpresë të shohë fshatin si dikur me zëra fëmijësh e zhurmë të rriturish që punonin tokën.

“Njerëzit ikën, çdo bësh këtu”.

Në Mesjetë fshati ka qenë i grumbulluar në një kodër të fshatit të sotëm me një shtrirje në formë patkoi.

Shtëpitë kanë qenë aq afër me njëra tjetrën sa brez pas brezi është thënë “kalonte macja tjegull më tjegull”.

Por sot s’ka më as mace. /abcnews.al

Gazetar: Fatos Salliu