Kush janë dy punëtorët që humbën jetën, identifikohen edhe të plagosurit

schedule19:45 - 16 Gusht, 2019

schedule 19:45 - 16 Gusht, 2019

Skela e një pallati që sapo kishte përfunduar rikonstruksionin në Tiranë, u shemb sot pasdite. 2 punëtorë humbën jetën ndërsa 3 të tjerë u plagosën në këtë aksident tragjik. Shkaqet e rrëzimit të skelës janë ende të paqarta.

Shembja e skelës së një pallati 13 katësh në Tiranë, u ka marrë jetën 2 punëtorëve, ndërsa 3 të tjerë janë plagosur rëndë.

Punëtorët po punonin për çmontimin e skelës pas përfundimit të rikonstruksionit të fasadës së pallatit në rrugën “Faik Konica”. Por fatkeqësisht për dy prej tyre kjo ishte edhe puna e fundit.

Viktimat Ergys Brahimaj, 31- vjeç dhe Orjan Kodra, 36 – vjeç kanë mbetur nën rrënojat e hekurta pas shkëputjes së skelës.

Forcave zjarrfikëse dhe atyre të policisë u janë dashur gati 2 orë për nxjerrjen e tyre nga poshtë hekurave të shembura të skelës, fatkeqësisht të pajetë.

Ndërsa 3 punëtorë të tjerë,  Genti Bardhi, 44 -vjeç,  Euglidios Lika 34 -vjeç dhe Altin Marku, që kanë marrë plagë të rënda në trup e kokë, u dërguan në spitalin e Traumës ku po marrin ndihmë mjekësore. Bluzat e bardha i thanë ABC News se tre të plagosurit janë në gjendje të stabilizuar.

5 punëtorët kanë qenë duke punuar në kate të ndryshme të skelës, në pjesën e prapme të pallatit 13 katësh. Pas shembjes është rrëzuar pjesa e skelës nga kati i dytë deri në të dhjetin. Ndërsa një pjesë e skelës prej 3 katesh në pjesën e sipërme të pallatit ka mbetur e varur.

Punëtoret e mbijetuar, në dëshmitë e tyre për uniformat blu thanë se ata  janë mbajtur në pjesë të ndryshme të skelave dhe kanë shpëtuar duke mos rënë poshtë grumbullit me hekura.

Pista kryesore që po hetohet nga policia pas kësaj ngjarje të rëndë është ajo e mungesës së sigurisë teknike në punë.

Grupi i ekspertëve të policisë dhe Prokurorisë së Tiranës shkuan në vendngjarje për këqyrjen e vendit dhe mbledhjen e provave që do t’i shërbejnë hetimit.

Policia bëri të ditur në një njoftimin e saj për ngjarjen se ka shoqëruar administratorin e punimeve, për të dhënë sqarime të hollësishme për shkaqet e aksidentit të rëndë. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!