Kush janë “Daja” e “Tani”? I penduari Bengasi tregon detaje

schedule13:04 - 24 Prill, 2019

schedule 13:04 - 24 Prill, 2019

Zbardhen detaje të reja në lidhje me dëshminë e bashkëpunëtorit të drejtësisë Alkond Bengasi. Ai ka dëshmuar para grupit hetimor se pranoi të modifikonte furgonët më të cilët u krye grabitja për arsye ekonomike.

Alkond Bengasi, pasi ka pranuar të flasë për grupin hetimor, ka dhënë detaje të rëndësishme lidhur me planin e Admir Murataj dhe Klemet Çalës për grabitjen e 9 prillit të ndodhur në Rinas.

34-vjeçari dëshmoi sesi ai u takua me të ndjerin Murataj te Shkëmbi i Kavajës, ndërsa iniciator ishin vëllezërit që janë shpallur në kërkim Klement dhe Eldi Çala.

Prokuroria e krimeve të Rënda dyshon se, ai takim u bë edhe për faktin që Klement Çala ka lidhje gjaku me Alkond Bengasin, duke rritur edhe besimin te anëtarët e tjerë të grupit, teksa plani i grabitjes së fundit në Rinas ishte hartuar rreth 5 muaj më parë.

Sipas Bengasit i cili ka marrë statusin e dëshmitarit të mbrojtur të drejtësisë ai u përfshi në atë ngjarje vetëm për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike që ndodhej.

“Duke qenë se unë punoja në një servis, ata më kërkuan t’i shoqëroja në Kavajë, ku do të merrnim një furgon. Fillimisht nuk pranova, sepse kam pasur fëmijën sëmurë dhe nuk doja të largohesha nga Elbasani. Por më pas pranova dhe shkuam të tre tek Shkëmbi i Kavajës. Aty na prisnin 3 persona për drekë. Një u prezantua si Admir Murataj, i cili ishte në shoqërinë e 2 personave nga Kosova. Një prej tyre e thërrisnin “Daja” ndërsa tjetrin “Tani”. Pasi hëngrëm drekë, morëm furgonat ‘Chevrolet’, të cilët unë më pas i modifikova. Më vonë mësova se mjetet do të përdoreshin për grabitje”.

Policia arriti të identifikonte Alkond Bengasin pasi në furgonin me mbishkrimin  “Hetimi Tatimor” janë gjetur në pjesën e brendshme, shenjat e gishtave të tij. Bengasi është një ndër pesë personat e arrestuar deri më tani për grabitjen e Rinasit.

Në atë ngjarje janë përshirë edhe një ish punonjës policie i shpallur në kërkim si edhe një 31-vjeçare E.Bici. Roli i gruas është ende i paqartë për hetuesit, por ajo dyshohet të ketë djegur një nga dy automjetet të gjetur të djegur nga policia pas grabitjes./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!