Kush është “Rrumi” i Sukthit? Mban disa identitete dhe i dyshuar për disa ngjarje kriminale

schedule19:42 - 2 Nëntor, 2019

schedule 19:42 - 2 Nëntor, 2019

Pëllumb Muharremi ishte një nga personat që mbeti i plagosur në atentatin e një ditë më parë tek mbikalimi i Shkozetit. Ai mban disa identitete dhe është dyshuar për ngjarje të ndryshme kriminale në Durrës dhe jo vetëm. Por ai lëvizte i lirë pasi akuzat ndaj tij nuk u provuan kurrë.

I skeduar disa herë për ngjarje të rënda kriminale Aleksandër Laho që mban edhe identitetin e Pëllumb Muharremit, nuk është një emër i panjohur për policinë.

I forti i Sukthit me pseudonimin “Rrumi” që mban disa emra vazhdimisht ka qenë në skedat e policisë i dyshuar për disa vepra penale.

Muharremi u akuzua sëbashku me dy persona të tjerë si një ndër autorët e përfshirë në konfliktin për pronat te Gjiri i Lalzit, ku do te investonte biznesmeni libanez Fadi Mitri.

Në atë kohë Policia e Tiranës shoqëroi tre persona të dyshuar si autorë të rrahjes së biznesmenit amerikano-libanez, mes tyre dhe Rrumin.

48 vjeçari u lirua nga gjykata e Apelit  ne vitin 2016 pasi nuk u provuan akuzat.

Pëllumb Muharremi (Rrumi) u hetua edhe për rrahjen e një avokati në Durrës ngjarje e ndodhur një vit më parë.

Por në të dy rastet ai mundi t’i shpëtojë drejtësisë pasi nuk u siguruan prova për implikimin e tij.

Në polici në drejtim të 48 vjeçarit kanë mbërritur vazhdimisht edhe denoncime për përfshirjen e tij në konflikte kryesisht për pronat në bregdet, por në të gjitha herët i ka shpëtuar dënimit.

Sipas policisë  mbajtja dhe përdorja e disa identiteve prej Aleksandër Lahos është bërë me qëllim që ai t’i fshihej drejtësisë. /abcnews.al