Kush është Erdogan, politikani që udhëheq Turqinë prej 15 vitesh

schedule13:54 - 25 Qershor, 2018

schedule 13:54 - 25 Qershor, 2018

Erdogan është në drejtim të Turqisë si kryeministër apo president që nga viti 2003. Përgjatë këtyre 15 viteve, ai ka konsoliduar një pushtet jo pak të kontestuar brenda dhe jashtë vendit.

Rexhep Tajip Erdogan fitoi zgjedhjet sipas mënyrës së tij, duke dominuar në gjithçka që mundet. Por si arriti deri këtu njeriu më i rëndësishëm i momentit në Turqi. I lindur në 1954-n në Stamboll, në një familje të varfër, Erdogan shumë shpejt do të tregonte ambiciet e tij të mëdha. Si adoleshent, ai ka shitur limonatë dhe simite në rrugët e Stambollit në mënyrë që të ndihmonte familjen e tij. Më pas ndoqi një shkollë të mesme të natyrës fetare islame. Kurse studimet universitare i ka kryer për Administrim Biznesi në Universitetin Marmara, po në Stamboll.

Në rininë e tij, Erdogan ka pasur një eksperiencë në futboll si lojtar gjysmëprofesionist. Duke parë situatën në vend, ai vendos të ndryshojë drejtim dhe të angazhohet në politikë. Pas grushtit të shtetit më 12 Shtator 1981, Erdogan u bë pjesë e Partisë Refah. Më tutje pasoi një rritje e shpejtë e tij dhe në vitin 1994 e pa veten kandidat për kryetar Komune të Stambollit, ku triumfoi në zgjedhje. 4 vite më vonë, ai u shkarkua nga detyra dhe u dënua me 10 muaj burgim, pasi recitoi një poemë fetare në Sirt.

Duke braktisur politikën e hapur islame, Erdogani në vitin 2001 themeloi Partinë e Drejtësisë dhe Zhvillimit, me të cilën arriti që në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura pothuajse pas një viti të fitojë afro dy të tretat e vendeve në parlamentin turk. Por në këtë fitore kaq masive ka pasur ndikim dhe mbështetja që i ka ardhur nga Lëvizja fetare Hizmet, që drejtohej nga imami Fetullah Gylen, të cilin tashmë e konsideron si kundërshtar politik pasi mediat afër klerikut publikuan disa biseda të djalit të Erdogan, ku bënte afera korruptive.

Që prej asaj kohe, kreu i shtetit ka përndjekur dhe arrestuar mbështetësit e Gylen. Erdogan ka shërbyer si kryeministër për një periudhë të gjatë nga viti 2003 deri në 2014-n. Po atë vit do të garonte për postin e presidentit mes akuzave për politika autoritare dhe skandaleve korruptive të kabinetit të tij. Pavarësisht këtyre zhvillimeve, Erdogan arriti të fitojë zgjedhjet presidenciale. Gjatë postit të kreut të shtetit, kundër tij do të bëhej një grusht shteti, i cili dështoi.

Për atë ngjarje, Erdogan akuzoi imamin Gylen dhe ndjekësit e tij. Tentativa e dështuar shtyu Erdogan që të arrestonte qindra mijëra persona dhe shkarkonte të gjithë ata punonjës që dyshoheshin si ndjekës të Gylen. Dhe sot e kësaj dite, përndjekja vijon. Tashmë me mandatin e ri, Erdogan pritet të ashpërsojë më tej linjën e tij dhe sipas parashikimeve të analistëve ndërkombëtarë, vendi do të shkojë drejt izolimit dhe regjimit totalitar. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!