KOSOVË- Gjatë fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje sulmonte kundërshtarët politikë duke i etiketuar ata si “hajvanë”.
Por, dy muaj më vonë kur kanë filluar kambanat kushtetuese dhe ligjore për të patur numrat për formimin e qeverisë, Albin Kurti jo vetëm ka “harruar” gjuhën e përdorur, por ka dërguar letër tek LDK-ja duke i kërkuar asaj të formojnë së bashku një koalicion qeverisës.
Politologu i njohur Xhavit Drenori, i ftuar në emisionin “Ballkan Update” në ABC News, u shpreh se Kurti e ka të vështirë të formojë qeverinë me pakicën joserbe.
“Kurti ka filluar negociatat me partitë minoritare jo-serbe, pastaj ka marrë dy takime me NISMA, të cilat nuk janë zbardhur, megjithatë ka qenë një darkë. Ka vështirësi që të themelojë qeverinë me pakicën jo-serbe dhe me NISMA. Kurti ka bërë lëvizjen tjetër për një thirrje për LDK-në. Nuk e besoj për dy arsye. E para është se votuesi i VV nuk dëshiron një qeveri me një parti si LDK, e cila llogaritet që i ka sjellë dëme vendit dhe LDK është vetë problematike që ME këtë gjuhë që është përdorur kohët e fundit, që të ofrohet dhe të bashkëpunojmë me Vetëvendosje, tha ai.
Ai thekson se nëse Lidhja Demokratike e Kosovës do të pranonte ftesën e Albin Kurtit, ky akt do të ishte padiskutim një goditje e madhe për LDK.
“Nëse i bashkohet LDK në këtë fazë humbet elektorat. Nuk e shoh si alternativë e parë , pra që ta çojë vendin në zgjedhje. Ajo synon të bëjë qeverinë, pa PDK dhe LDK-në. Ai do ta provojë të bëjë qeverinë me numra pak, ose mund të shkojë në zgjedhje”, tha ai.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, caktoi 15 prillin si datën për mbajtjen e seancës konstituive të përbërjes së re parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Caktimi i seancës konstituive shënon hapin e parë drejt formimit të institucioneve të reja, pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 27 mars./abcnews.al