Ish ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Fatos Tarifa thotë se shqiptarët në Ballkan, duhet t’i kenë sytë nga Tirana më 15 shkurt, kur dhe do të zhvillohet vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken në vendin tonë.
Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Tarifa u shpreh se Blinken, ndoshta mund të ketë mesazhe edhe për Kosovën.
Sipas ish diplomatit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është kthyer në problem për Kosovën, por edhe për SHBA. Tarifa shtoi se Kosova duhet t’i dëgjojë partnerët amerikanë.
“Patjetër. Tirana është qendra e shqiptarizmit në Ballkan. Kjo është vizitë në Shqipëri, por është vizitë për shqiptarët. Nëse do të ketë mesazhe apo jo të drejtpërdrejta për Kosovën, këtë nuk mund ta di. Por besoj se do të jetë një mësim i mirë. Kryefjala e asaj që Amerika do dhe që besoj, sekretari Blinken do të thotë, është stabiliteti, rajoni, bota e trazuar, ne duam një Ballkan të qetë.
Në Uashington nuk duan t’ia dinë se cili është emri i presidentit apo i kryetarit të qeverisë së një vendi. Ata duan, ju të jeni vend demokratik, të krijoni stabilitet në rajon, të luftoni korrupsionin, të jeni pro-amerikanë.
Kurti është problem në vetvete është problem për Kosovën, dhe duket se është edhe problem për SHBA. Mesazhet nga Uashingtoni, vijnë që, ju nuk po na dëgjoni,. Kjo mund të ndikojë në marrëdhëniet tona me Kosovën, që do të ishte një tregjedi në fakt, Duhet të dëgjojmë partnerët tanë amerikanë. Ata janë investuar në Kosovë”, theksoi ai./abcnews.al