Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mendoi se po merrte urime për fitoren në zgjedhje nga Presidenti i Letonisë Edgars Rinkēvičs, por në fakt, në anën tjetër të video-telefonatës ishin dy komedianët rusë Vovan dhe Leksus, të njohur për shaka të tilla.
Në bisedën 11-minutëshe të publikuar në kanalin e tyre, Kurti flet pa e kuptuar rrengun, duke akuzuar Moskën dhe Beogradin për sulme hibride, duke shigjetuar opozitën, por edhe mediat në Kosovë. Ankohet edhe për diplomatin amerikan Richard Grenell.
Juristi Jeton Halimi i ftuar në “Ora e Fundit” në ABC News, u shpreh se Albin Kurti ka dështuar në politkat e tij në fushën e diplomacisë, ndërsa shtoi se përgjatë këtij mandati nuk pati asnjë njohje përveç nga Kenia, njohje kjo, e cila ishte për meritë të Behgjet Pacollit.
Sipas tij, Albin Kurti duhet të ndiqet penalisht nëse ka ndarë informacione sekrete me dy komedianët rusë.
“Qeveria e Kurtit është në ikje dhe e dimë se çfarë niveli diplomatik ka pasur dhe ska pasur asnjë njohje. Qeveria Kurti ka dështuar. Nëse aludohet dhe dyshohet se ka dhënë informacione që nuk është dashur, çdo shpërndarje informacioni sipas kodit penal është vepër penale. Nëse ka dhënë informacione sekrete dhe konfidenciale, të ndiqet penalisht. Kurti të sqarojë njerëzit”, tha ai./abcnews.al