Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të aktorit Koço Devole.
Në një postim në rrjetet sociale, Kurti shkruan se Devole bëri humor në kushte diktature. Kreu i VV thotë më tej se humori i tij ishte thellë e i punuar me kujdes.
“Mësova me dhimbje lajmin e vdekjes së aktorit e autorit të humorit shqiptar, Koço Devoles, i cili prej disa ditësh ishte i shtruar në spital në Tiranë, me simptoma të rënduara të COVID-19. Devole, beratas me origjinë, pjesëtar i një brezi të talentuar, e zhvilloi humorin e tij në kushte të shtetit të kudondodhur, gjatë diktaturës, dhe e vazhdoi atë në kushte të shtetit të larguar në drejtime të panjohura, gjatë demokracisë. Pra, humori i tij ndërtohet pikërisht në humnerën që gjendet mes dëshirës së njerëzve për normalitet, parashikueshmëri, jetë të mirë, drejtësi e liri, dhe dështimit të plotë të asaj dëshire prej dy ekstremeve politike ku ka kaluar Shqipëria, katër dekada stalinizëm dhe tre dekada neoliberalizëm.
Humori i Koço Devoles ishte një humor i thellë e i punuar me kujdes. Edhe pse shpesh i thënë me gjuhë popullore, ai nuk binte pre e formulave kopjuese, klisheve bajate, apo imitimit banal. Rrallë merrej ai me individë, sepse kishte aftësinë të karikaturizonte fenomenin, pa u bërë megjithatë skolastik apo skematik. Të tillë autorë të humorit, gjithnjë janë të rrallë, dhe shpresoj të jetë frymëzim për humoristët e gjeneratave të reja. Ngushëlloj familjarët e Koço Devoles dhe gjithë adhuruesit e artit të tij”, shprehet Albin Kurti.
Koço Devole u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare pasi ishte infektuar me Covid-19. Ai kishte rezultuar negativ në tamponin e parë, por gjendja e tij u rëndua edhe si pasojë e sëmundjes së leuçemisë. Devole mbylli sytë përgjithmonë mëngjesin e sotëm.
Përveçse aktor i shkëlqyer humori, Devole ishte karikaturist, skenarist, regjisor dhe prezantues spektaklesh. Rolet e tij në skene dhe ekran janë nga më të njohurit për publikun shqiptar.
Koço Devole do të mbahet mend për skeçet e tij të humorit dhe të qeshurat që i ka dhuruar publikut shqiptar ndër vite. Miqtë dhe artistët e përshkruan si një humbje të madhe ndarjen nga jeta të aktorit, duke e cilësuar si ikjen e një legjende. g.v/abcnews.al