Gjashtë degë të “Bankës Postare të Kursimeve të Serbisë” në Veri të Kosovës janë mbyllur pas një operacioni të zhvilluar nga Policia dhe Agjencisë Tatimore, pas dyshimeve se janë kryer veprimtari të paligjshme.
Në një deklaratë zyrtare policia njoftoi se gjatë operacionit është konfiskuar një sasi e konsiderueshme e parave. Konkretisht janë marrë rreth 1 milion e 600 mijë euro dhe 74 milionë e 700 mijë dinarë në funksion të “vendosjes së rendit dhe ligjshmërisë” në këtë zonë.
Mirëpo aksioni i policisë në komunat me shumicë serbe është kritikuar nga shtetet e bashkuara. Departamenti amerikan i Shtetit, në një përgjigje për Zërin e Amerikës, tha se është i zhgënjyer për mbylljen e filialeve të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë, duke vlerësuar ndër të tjera se “veprimet e pakoordinuara” mund t’i “përshkallëzojnë tensionet” ekzistuese.
“Ai minon perceptimin se Kosova vepron me mirëbesim për zgjidhjen e çështjeve me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’u përgjigjet nevojave bazë të të gjithë qytetarëve të saj – duke përfshirë ato të pakicës serbe – e ndikuar negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloren për monedhën”
Në shkurt hyri në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, nëpërmjet së cilës është përcaktuar euro si e vetmja valutë ligjore që lejohet për transaksione me para të gatshme, duke ndaluar përdorimin e dinarit në zonat e banuara me serbë etnikë.