“Kurti ka dalë kundër SHBA dhe BE”, Arifi: Nëse nuk tërhiqet, nuk do të ketë mbështetje nga aleatët

schedule16:31 - 20 Shkurt, 2024

schedule 16:31 - 20 Shkurt, 2024

“Nëse Sali Berisha në Shqipëri ka qenë bashkëpunëtor i Amerikës dhe ka përfunduar “non grata”, atëherë Albin Kurti nuk e ka të gjatë karrierën e tij politike, është ‘non grata’”, ka deklaruar kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi.

Në një lidhje për emisionin “Ballkan Update”, ai ka thënë se Kosova nuk përfiton asgjë nga kriza e dinarit. Sakaq, Arifi ka theksuar se Kurti ka dalë kundër ndërkombëtarëve dhe Bashkimit Europian, prandaj nëse nuk tërhiqet nuk do të ketë mbështetje nga aleatët.

“Personalisht e kam përshëndetur vendimin e dinarit, por siç po shihet ndërkombëtarët e kanë një tjetër pikëpamje në këtë drejtim. Ne mund t’i kundërshtojmë ose të gjejmë një rrugë të mesme. Unë mendoj që Kurti po zgjedh të parën dhe po siguron për vete pozitë politike, që njerëzit në Kosovë t’i thonë bravo. Kjo nuk është diçka e re, është një fenomen që është diçka i vjetër prej 3 vitesh, ku Albin Kurti del kundër ndërkombëtarëve.

Është një lojë fjalësh të cilën e bën Kurti pa ndërprerë. Për mua atë që ka bërë ambasada e Amerikës para disa javësh ka qenë një moment i rëndësishëm, pasi diskutohet për përkrahjen e Kosovës. Aktualisht kemi një situatë ku të gjithë ndihen të zhgënjyer.

Në fakt asgjë nuk fitojmë. Unë e shoh nga momenti i Banjskës vitin e kaluar, kemi hyrë në një tjetër fazë të dialogut. Mendoj që vendimi nuk ka qenë pjesë e asaj marrëveshje, Kurti ka dalë jashtë kësaj marrëveshjeje. Ndoshta logjika e Kurtit është që të sigurojë vetes dhe një herë pushtetin në të ardhmen. Ne dhe me vendosjen e targave nuk kemi fituar asgjë. Më saktë, nëse mund ta quajmë fitore, kemi fituar vetëm humbje të marrëdhënieve me ndërkombëtarët”, u shpreh ndër të tjera Arifi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!