Besimtarët mysliman në të gjithë botën festojnë të dielën Kurban Bajramin, ditën që simbolizon sakrificën dhe bindjen e njeriut ndaj Zotit.
Në Tiranë falja e tij do të bëhet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ndërsa kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë shpërndau urimin për paqe dhe mirësi në çdo familje.
“Kurbani është një festë në të cilën në çdo zemër e vatër duhet të hyjë gëzimi, dora e solidaritetit dhe përkrahjes.
Kjo festë është festa e ngjalljes së shpresës dhe e optimizmit për të vazhduar me këmbëngulje besnikërinë ndaj Zotit të gjithësisë, se ai është Falës i Madh, Mëshirues i Pakufishëm.
Të dashur motra dhe vëllezër,
Kurban Bajrami është festë edhe për haxhinjtë.
Miliona besimtarëve nga e gjithë bota, të cilët po kryejnë Haxhin, u janë bashkuar qindra besimtarë nga Shqipëria, e ne lutemi që atyre t’u pranohet haxhi e të kthehen të gjithë të falur e të pastruar nga mëkatet.
Të dashur shqiptarë,
Më lejoni që në emrin tim dhe të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë t’ju përcjell urimet më të përzemërta me rastin e festës së madhe të Kurban Bajramit,
Paçi gëzime në familjet tuaja,
Zoti i madhërishëm na dhëntë begati e mirësi për kombin tonë,
Zoti u dhëntë paqe të gjithë besimtarëve në mbarë botën
Gëzuar!”, u shpreh Bujar Spahiu, kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
/abcnews.al/