“Kur Vangjush Mio pikturonte në rrugët e Korçës, babi i rrinte gjithë kohës te koka”, flet djali i Guri Madhit

schedule11:55 - 28 Mars, 2023

schedule 11:55 - 28 Mars, 2023

Pandi Madhi, djali i “Piktori të Popullit” Guri Madhi, ka rrëfyer shumëçka për  të atin, duke mos lënë pa përmendur edhe emrat që ndikuan në karrierën e tij.

I ftuar në emisionin “Pas Mesnate” në ABC News, ai ka zbuluar se i pari që i dha një shtysë babait të tij ishte piktori i njohur, Spiro Xexa, të cilin e kishin edhe kushëri. Më pas gjyshi e mbështeti me materiale dhe padyshim kryesori ishte ikona e pikturës, Vangjush Mio.

Sipas Pandi Madhit, i ati dhe Mio u lidhën më së shumti pasi punuan të dy bashkë në Teatrin e Korçës.

“Ai gjithmonë dhe në një intervistë disa ditë para se të largohej nga jeta që ia dha shkrimtarit Teodor Keko, që është botuar në gazetën ‘Drita’ dhe ‘Fjala’ në Kosovë, e shpreh edhe një herë aty atë mirënjohjen që kishte për dy profesorët e parë të tij. Spiro Xega ishte i pari dhe ai që e inkurajoi vazhdimisht Guri Madhin. Spiro Xega ishte kushëriri i parë i gjyshit tim, pra Pandi Madhit, babait të babait tim. Edhe duke qenë se që i vogël Guri Madhi kishte këto shenja dhe dëshirën për të pikturuar, ai e inkurajoi shumë. Ashtu si edhe gjyshi e mbështeste me materiale. Gjyshi kishte një restorant të vogël dhe aty i kishte bërë një kënd me një tavolinë të vogël.

Ndërsa me Vangjush Mion, ai pati një marrëdhënie shumë të gjatë. Fillimisht ky ishte shumë i ri, kur Vangjush Mio pikturonte në rrugët e Korçës, bënte peisazhe kur ky i rrinte aty gjithë kohës dhe Mihoja u bë kurioz. I tha: ‘Të shikoj që vjen herë pas here’. Edhe ky i tha që i pëlqente piktura dhe bënte reklamat e kinemave të qytetit. Miqësia e tyre u forcua shumë nga viti ’47-’50 pasi punuan të dy bashkë në Teatrin e Korçës. Mio ishte skenograf dhe ky ishte ndihmësi i Mios gjatë gjithë kohës”, rrëfeu ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!