Tre persona janë arrestuar nga policia në Berat pasi kanë kundërshtuar forcat e policisë dhe nuk kanë paraqitur dokumentacionin e kërkuar. Policia njofton se ndaj tyre rëndojnë akuzat për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”. Tashmë materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.
“Kundërshtuan me dhunë punonjësit e Policisë, arrestohen në flagrancë 3 shtetas, ndërsa 1 tjetër shpallet në kërkim. Nga specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e policisë Berat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. D., 54 vjeç, si dhe u shpall në kërkim djali i tij, shtetasi S. D., 17 vjeç, banues në Berat.
Këta shtetas, pasi janë ndaluar nga punonjësit e Policisë Rrugore, nuk i kanë paraqitur dokumentacionin e kërkuar, por i kanë kundërshtuar ata me dhunë. Gjithashtu, nga specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Skrapar u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve D. N., 31 vjeç banues në Çorovodë dhe F. N., 35 vjeç, banues në Tiranë.
Arrestimi i tyre u bë pasi kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë së Rendit Publik, për shkak të detyrës. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”, kryer në bashkëpunim”, njofton policia./mv.abcnews.al