Kumbulla: Vesin e golit e kam pasur gjithmonë, Juric e Verona më ndryshuan jetën

schedule08:09 - 27 Tetor, 2020

schedule 08:09 - 27 Tetor, 2020

Dy gola në pak ditë. Marash Kumbulla po tregon një tjetër cilësi të tij, që nuk e kishim parë te Hellas Verona një sezon më parë. Gjithsesi djaloshi nga Malësia e Madhe, në intervistën e dhënë pas sfidës me Milanin u shpreh se gjithmonë e ka pasur “vesin” e golit.

“Gjithmonë kam qenë një qendërmbrojtës, por e kisha atë zakonin e shënimit. Vitet e fundit kam luftuar më pak për të shënuar, por gjithmonë e kam pasur atë instinkt”, tha për Sky Sport Kumbulla, i cili më pas shton se nga goditjet e këndit është edhe më e lehtë të realizojë.

“Topat që të vijnë në zonë janë interesantë dhe është më e lehtë të shënosh nga një goditje këndi”, shprehet qendërmbrojtësi, i cili ishte edhe pak me fat te goli. Topi, para se të shkonte tek ai, u devijuar nga Zlatan Ibrahimovic.

 

“Për fat të mirë topi shkoi në shtyllën e dytë dhe unë arrita të shënoj”, shton Kumbulla. Më tej ai pranon se ka shumë për t’u përmirësuar, sikurse e drejton gishtin nga vetja për golin e parë që Roma pësoi kundër Milanit mbrëmë.

“Unë mund të përmirësohem shumë në gjithçka. Kam bërë një gabim që mund ta kisha shmangur. Për fat të mirë shënova dhe e kompensova atë. Po integrohem mirë falë shokëve të skuadrës dhe shpresoj të përmirësohem”, u shpreh 20-vjeçari i kombëtares shqiptare.

Sigurisht ai nuk mund të hedhë poshtë atë që i dha Hellas Verona një vit më parë: “Jeta ime ka marrë një përshpejtim të dukshëm falë Verona e Juric. Ata më dhënë menjëherë besim, pastaj këtë vit u përmirësova dhe isha në gjendje të luaja si titullar në Serie A. Tani shpresoj me Romën të bëj sa më mirë të jetë e mundur”. /abcnews.al