“Kumbulla do bëhet i madh, ju shpjegoj pse. Ismajlin e duan dy klube italiane”

schedule14:19 - 27 Qershor, 2020

schedule 14:19 - 27 Qershor, 2020

Edoardo Reja ka folur gjatë për Marash Kumbullën. Qendërmbrojtësi i talentuar është shumë afër transferimit te Lazio dhe trajneri i kombëtares kuqezi e cilëson si një goditje të madhe.

Në prononcimin e dhënë për Corriere dello Sport, përveç analizës dhe elozheve për 20-vjeçarin, Reja zbulon edhe dy skuadrat italiane që interesohen për Ardian Ismajlin, i cili është lojtari i radhës i kombëtares që mund të transferohet në Serie A.

Kumbulla është një mbrojtës inteligjent, shumë i mirë në duele, i fortë në luftën në ajër, mbi të gjithë është me këmbë në tokë. Marashi ka mundësi për t’u përmirësuar edhe më shumë, e pres diçka të tillë nga ai. Është i vëmendshëm, luan me kokën lart dhe ka sens të mirë taktik.

Ai është i ri, është vetëm 20 vjeç, por ka arritur të krijojë një përvojë të mirë. Kumbulla është i kompletuar dhe mendon vetëm për futboll. Mendoj se do të bëhet një lojtar kalibri. Roli i tij natyral është në qendër të mbrojtjes, por po paraqitet mirë edhe si i majtë në mbrojtjen me tre.

 

Kumbulla në duel me Cristiano Ronaldon

Mund t’i bëjë të gjithë rolet në mbrojtjen me tre lojtarë, ka iniciativë, i pëlqen të luajë dhe merr pjesë në fazën ofensive. Do të ishte një goditje e madhe për Lazion. Ai do të bëhet një futbollist i madh, është i aftë për të luajtur me skuadrat ‘big’.

Fizikisht është shumë mirë dhe është kënaqësi kur e sheh duke luajtur. Nuk ka lojtarë të tillë të rinj në Itali. Mos të harrojmë që ka edhe shumë personalitet, një cilësi shumë e rëndësishme për një futbollist. Duhet të kesh shumë personalitet kur vesh fanellën e Lazios, Milanit apo Juventusit.

Do të formonte një treshe defensive shumë të mirë te Lazio me Acerbin dhe Luiz Felipe. Ia sugjerova Napolit, që desh e mori në janar. Kam biseduar edhe me Igli Taren për të. Kumbulla nuk e njeh fjalën frikë, nuk i intereson fare se kë ka përballë.

Unë e ndjek prej kohës që ka qenë kapiteni i të rinjve të Veronës, dallohej që atëherë që kishte cilësi. Ai mund të jetë një siguri në të ardhmen për kombëtaren shqiptare. Kam edhe Djimsitin e Atalantës, teksa po ndjek edhe 2-3 lojtarë të tjerë interesantë.

Është edhe Ismajli te Hajduku i Spilit, atë po e kërkojnë Lecce dhe Benevento. Jemi në rregull me Kumbullën në mbrojtje, kemi edhe Strakoshën në portë, të gjithë janë lojtarë të rinj. Fazën defensive e kam të siguruar te Shqipëria, tani po punoj për të kompletuar repartet e tjera“, përfundon Reja. /abcnews.al