Nesër në 16:45 luhet ndeshja më e fortë e javës në 10 të Kategorisë Superiore. Në “Elbasan Arena” Tirana përballet me Kukësin në një ndeshje mes të fortësh, që do të tregojë shumë mbi fuqinë e dy ekipeve.
Para kësaj ndeshje në konferencë për shtyp foli trajneri i Tiranës, Nevil Dede. Strategu bardheblu “qan” dëmtimet e shumta dhe e sheh gotën gjysmë plot.
DËMTIMET – “Po kalojmë disa probleme, Vangjeli është larguar për arsye shëndetësore. Ka një problematikë, që vetëm një doktor në Greqi mund ta përmirësojë.
Kjo vjen nga ndeshjet e shumta dhe ngarkesa ka qenë e madhe për disa. Uroj ta përballojmë nesër sa më mirë. Të gjithë do japin më shumë nesër kundër Kukësit. Problematika të bezdis, por nuk jam i shqetësuar”.
TORASSA – “Ai ka pasur një problem, por na ka ndihmuar në çdo ndeshje. Ai ka karakter luftëtari. Sakrifikoi në Korçë dhe bëri një ndeshje të mirë, si ai ashtu edhe skuadra”.
NDESHJA – “Kukësi është një ekip i fortë. Duam të shprehemi mirë, të jemi solidë dhe të përfaqësojmë fanellën. Duam të shkojmë në rrugën e vjetshme. Nuk është se kemi ecur shumë mirë deri tani.
Ajo që e rrit këtë klub janë prodhimi që vjen nga akademia. Është bërë punë e mirë dhe kjo më intereson. Ata e ndjejnë fanellën dhe e duan. Ata që e duan mund të japin edhe më shumë nga vetja”.
KRITIKAT – “Ky grup po bën mirë dhe vetëm prej pikëve opinioni mund të bëjë kritika. Kemi shumë të rinj, mund të kenë luhatje. Edhe pse të rinj, kanë pasur pak luhatje. Kjo më ngroh mua”.
SASRAKU – “Sasraku ka bërë mirë, punon për skuadrën dhe asiston. E mira është të shënojë. U paraqit mirë kundër Skënderbeut, zëvendësimi erdhi për arsye taktike. Normalisht e mira nuk ka fund”.
MBROJTJA – “Kemi luajtur shumë ndeshje dhe kemi qenë disi të brishtë përpara. Po të shënonim do kishim 3-4 pikë më shumë. Shifrat flasin për ne, në zotërim topi. Kur ha bukë edhe thërrime do bësh. Përpiqemi të ushqehemi sa më mirë”.
MELO E ASANI – “Janë lojtarë të Partizanit dhe nuk komentoj emrat e tyre. Kualitet kanë, normal, pasi e kanë treguar. E përsëris që lojtarët e mirë i do çdo ekip. Këtë ua kam thënë edhe në konferencat e mëparshme”.
TIRANA FAVORITE – “Jam i bindur se Tirana do të humbë shumë pak ndeshje, por sa do fitojmë mbetet për t’u parë. Ndokush thotë që ishte dështim barazimi me Skënderbeun. Luajtëm në sulm dhe normalisht lihen hapësira prapa. Nëse fitojmë nesër, do i rikuperojmë ato tre pikë dhe do afrohemi shpejt.
E shikojmë nesër hapin e Kukësit në krahasim me ne. Nëse do jetë një hap më lart se ne, do e shohim. Unë mendoj se ne jemi favoritë nesër përsëri. Ne jemi Tirana, pavarësisht problematikës së mungesave, ne kemi akoma lojtarë, energji dhe burime brenda klubit.
Sikur edhe me 18-vjeçarë të luajmë ne, do jemi më superiorë se ata. Skuadrës i vë notën 8. Po shënonim 3-4 gola më tepër do t’i vendosja notën 9. Tiranën e shoh vetëm rival të vetes së saj.
Kemi shpërdoruar shumë raste dhe minuta, kjo është problematika jonë. Ne duhet të përmirësojmë veten dhe nëse e bëjmë kjo është gjëja më pozitive”, përfundoi Dede. /abcnews.al