Kukësi dhe Laçi ishin ekipet fitues të Superligës në ndeshjet e fundit të javës së 14-të. Kuksianët ia dolën në Kamzë, por u ndihmuan nga vendasit që shkaktuan dy autogola.
Quhesh i pafat kur ke dëmtime, por jo kur të ndihmon kundërshtari që të fitosh. Kështu i ndodhi Kukësit të trajnerit Armando Cungu, i cili triumfoi 2-0 në fushën e vështirë të Kamzës, edhe pse pati mungesa të rëndësishme si ato të Musollit apo Rrumbullakut. Formacioni verior ia doli të merrte pikët e plota falë dy dhuratave të vendasve, dy autogola të shënuar brenda vetëm pak minutave të pjesës së parë me autorë portierin Frashëri dhe mbrojtësin Teqja.
Kjo bëri diferencën në një përballje të javës së 14-të, që pritej të ishte e vështirë. Trajneri i kamzalinjve, Ernest Gjoka, e pati humbje duelin me ish-ekipin e tij, skuadër me të cilën doli kampione në vitin 2017. Ai dhe futbollistët e tij pretenduan për penallti që kur rezultati ishte 0-0, por gjyqtari nuk akordoi 11-metërsh. Me atë që u dha në fushë, mund të thuhet se miqtë e merituan fitoren, pasi krijuan edhe mundësi të tjera për të shënuar.
Kukësi ka tani 24 pikë, duke qenë vetëm 1 pikë larg vendit të tretë, dhe sërish me mundësi matematike reale për të luftuar për titull. Kamza mbeti e parafundit dhe rrezikon edhe më shumë rënien nga kategoria. Në ndeshjen tjetër, luajtur njëkohësisht, Laçi fitoi 2-1 ndaj Kastriotit, duke qenë me 25 pikë, baraz me Teutën e Durrësit. Krutanët vazhdojnë të jenë të fundit në renditje, dhe kandidatë nuëmr 1 për të zbritur nga Superliga./abcnews.al