“Bota mendoi se Ukraina do të binte brenda disa ditëve, por ne i vërtetuam të kundërtën.” Kështu është shprehur Shahin Omarov, Konsulli i Nderit i Shqipërisë në Ukrainë, i ftuar paraditen e së martës në ABC Live me Sibora Bitrin.
I pyetur për situatën në Ukrainë, ku prej 24 shkurtit tashmë luftohet kundër pushtuesit rus, Omarov kujtoi se lufta në vendin e tij në fakt ka nisur që 8 vite më parë kur Rusia aneksoi Krimenë.
“Po të flasim për historinë e luftës, ka filluar që 8 vite më parë. Po të marrim Donbas-in, aty janë zhvilluar veprime luftarake, jo shumë aktive, dhe Ukraina ka zhvilluar luftime për të mbrojtur territorin në rajon. Më 24 shkurt, Rusia kreu agresionin që e quan veprime të reparteve speciale.”
Siç tregon Konsulli i nderit, Rusia e nënvlerësoi aftësinë e Ukrainas për të rezistuar dhe për të luftuar për mbrojtjen e territorit të saj. Ai tregoi se ushtarëve rusë u ishin dhënë uniforma nëpër tanke, me idenë se për punë ditësh mund të dilnin në paradën e fitores nëpër rrugët e Kievit.
“Rusia llogariti që për 3-4 ditë ta mposhte Ukrainën. Por, ata gabuan edhe në pikëpamje taktike dhe strategjike me planet e tyre. Ata gabuan, nuk e llogaritën shpirtin luftarak të ukrainasve. Tek ne rezistojnë jo vetëm ushtria por edhe populli, që janë kundërshtarët më të fortë të tyre. Fillimisht nuk besonte njeri, që Ukraina do të qëndronte kështu, edhe bota mendonte se Ukraina do të rrëzohej. Tani edhe bota po e sheh…”
Shahin Omarov tregoi po ashtu se gjatë kësaj kohe janë “pastruar territoret” rreth Kievit dhe në qytete të mëdha ndërsa solli në vëmendje që edhe në jug të vendit si në Mariupol ku luftimet janë të ashpra, ukrainasit vijojnë të rezistojnë.
Kujtojmë se Konsullata shqiptarë në Kharkiv është bombarduar nga forcat ruse më 7 mars dhe godina është shkatërruar thuajse plotësisht. /abcnews.al/