Tiranë- Gjatë kësaj jave është futur në përdorim për herë të parë “Droni edukues”, pajisja më e re inteligjente, dedikuar veçanërisht për konstatimin e shkeljeve rrugore të pozicionimit të mjeteve në korsinë apo karrexhatën e duhur, sipas drejtimit të lëvizjes.
Përgjatë javës që lamë pas, u arrestuan dhe u proceduan penalisht në gjendje të lirë 39 drejtues mjetesh, për kryerjen e shkeljeve të ndryshme.
Janë ndëshkuar me masë administrative 1092 drejtues mjetesh, për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit.
Për parakalime të gabuara, manovra të rrezikshme në rrugë, shpejtësi mbi normën e lejuar, mosvendosjen e kaskës mbrojtëse, mosvendosje të rripit të sigurimit dhe shkelje të tjera të ndryshme, janë ndëshkuar 3303 drejtues mjetesh.
Janë pezulluar 258 leje drejtimi, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, si dhe për shpejtësi tej normave të lejuara.
Janë hequr 4 palë targa të çregjistruara apo që u kishte përfunduar afati i përdorimit në shtetin e origjinës.
Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor./abcnews.al