Kufizohen kreditë për shtëpi, eksperti i ekonomisë: Masat e Bankës së Shqipërisë synojnë të mbrojnë qytetarët

schedule20:25 - 6 Qershor, 2025

schedule 20:25 - 6 Qershor, 2025

Në një intervistë për emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, eksperti i ekonomisë, Eduart Gjokutaj, komentoi masat e fundit të Bankës së Shqipërisë për kufizimin e kredive për shtëpi, duke theksuar se ato janë një ndërhyrje mbrojtëse dhe jo paralizuese.

Sipas tij, ky veprim ka për qëllim të mbrojë konsumatorët, duke siguruar një balancë mes rritjes së çmimeve të pasurive të paluajtshme dhe rritjes së të ardhurave të qytetarëve. Gjokutaj theksoi se ndërhyrja ka si qëllim të parandalojë rrezikun financiar që mund të krijohet për qytetarët, pasi kërkesa për kredi është e përqendruar vetëm në një segment të ekonomisë, atë të ndërtimit.

Ai vuri në dukje se Banka Qendrore ka vepruar me kujdes për të shmangur një thellim të mëtejshëm të këtij rreziku financiar, duke kufizuar rritjen e kredive dhe duke mbajtur nën kontroll debitet e mundshme.

“Ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë është një ndërhyrje mbrojtëse dhe jo paralizuese pasi ka qëllim që të mbrojë konsumatorët, duke bërë një raport të rritjes së çmimeve me rritjen e të ardhurave të qytetarëve. Rritja e çmimeve të apartamenteve nuk reflektohet vetëm tek kostot e tregut, por edhe shtesat. Duhet një vëmendje më e madhe e asaj se çfarë po ndodh. Interesi i qytetarëve për kredi pon rritet vetëm në një drejtim, për ndërtimin, dhe kjo i vë në një risk.

Banka Qendrore është treguar e vëmendshme në këtë rast, duke ndaluar këtë risk. Janë të gjitha shenjat që mund të kenë ndodhur në raste të ndryshme të debiteve financiare. Pra rritja e kredisë vetëm për një segment të ekonomisë natyrisht që ka ndikuar në këtë rast. Banka qendrore e ka parandaluara këtë, duke u thënë top, mos e thelloni më shumë pjesën e kredisë”, tha eksperti i ekonomisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!