Kthimi për herë të tretë/ Rama: Kërkuam të ndihmojmë vendin fqinj. Ja pse nuk mund të bëhet një marrëveshje për emigrantët me Spanjën

schedule18:34 - 7 Shkurt, 2025

schedule 18:34 - 7 Shkurt, 2025

Në konferencën për shtyp në Madrid, kryeministri Edi Rama u pyet dhe për kthimin e tretë të emigrantëve në Itali. Ai tha se vetmja gjë që bëri Shqipëria, është se ndihmoi vendin fqinj Italinë, si një vend europian.

Sipas Ramës, Italia e ka ndihmuar gjithmonë Shqipërinë dhe ishte koha që vendin ynë ta kthente ndihmën.

“Nuk kam asnjë mendim për këtë dhe pyetja duhet t’i drejtohet simotrës sime italiane, pra simotrës së Italisë, Georgia Meloni sepse për ne, të qenit pjesë e kësaj marrëveshjeje është shumë e thjeshtë, është një rol shumë i thjeshtë.

Na u kërkua nga Italia të ndihmojmë dhe kur Italia kërkon, ne ndihmojmë gjithmonë sepse marrëdhënia jonë është mijëvjeçare.

Ne i detyrohemi shumë Italisë, sidomos për atë çfarë Italia ka bërë pas rënies së komunizmit e që na ka ndihmuar shumë në momente tejet dramatike. Së fundmi, por jo nga rëndësia, kur patëm tërmetin shkatërrues, trupat italiane të emergjencave civile erdhën dhe rrezikuan jetët e tyre për të shpëtuar njerëzit nga rrënojat, kështu që ata na e kërkuan këtë dhe e ndihmuam, siç mendoj çdo vend europian, çdo komb europian duhet të ndihmojë tjetrin apo duhet të ndihmojë njëri-tjetrin.

Është një operacion që është 100% nën vëzhgimin dhe përgjegjësinë italiane. Dy qendrat kanë tipare extra-territoriale ndaj siguria, lëvizja, trajtimi, aspekti ligjor gjithçka është italiane.

Kështu që, do duhet të pyesni palën italiane, jo ne”.

Sa i përket, një marrëveshje për emigrantët me Spanjën, Rama tha se kjo mund të ishte e pamundur për shkak të vendndodhjes gjeografike.

“Nuk jam i sigurt që do të kishte shumë kuptim sepse lidhet po kështu shumë me gjeografinë. Në qoftëse e keni idenë e pozicionit gjeografik të dy vendeve, ne jemi njerëzit thonë të ndarë por unë them  jemi të bashkuar nga deti me Italinë dhe e vetmja gjë që e bën këtë marrëveshje të arsyeshme është se migrantët nuk ndalojnë në Itali sepse po të ndalojnë në Itali hyjnë në territorin e Bashkimit Europian dhe vihen në lëvizje procedura të tëra, por ata ndalojnë në Shqipëri dhe sa e bëshme do të ishte për Spanjën që të ndalonin në Shqipëri, nuk e shoh këtë gjë të mundshme dhe nuk mendoj që në fund të fundit, kjo është zgjidhja përfundimtare e krizës kufitare europiane dhe të krizës së emigracionit sepse Europa besoj deri më tani gjendet në një pozicion të vështirë. Nga njëra anë, i duhet të merret me shumë emigracion të paligjshëm dhe me një porozitet shumë shqetësues të kufijve të vet dhe nga ana tjetër i duhet që të përballet me një rënie demografike dramatike“./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!