Kryesia PD-s: Kuvendi Kombëtar mblidhet në 28-29 Prill

schedule22:15 - 8 Mars, 2018

schedule 22:15 - 8 Mars, 2018

Deri më 22 Mars, grupi i punës i miratuar nga kryesia e Partisë Demokratike, mbledh propozimet për ndryshimin e statutit të partisë, që do të diskutohen gjatë mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të PD në datat 28-29 Prill. Në një mbledhje që zgjati mbi 2 orë, kryesia e partisë pa edhe debate.

Kryesia e demokratëve shqiptarë, në orën 17:00 në selinë blu nisi takimin që caktoi datën për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demorkatike.

Lulzim Basha: “Është vendosur me vendim unanim të kryesisë të PD-së, e cila është data 28 dhe 29 Prill, kur Kuvendi Kombëtar i PD-së do të zhvillohet në Tiranë dhe do të marrë vendimet e rëndësishme për Partinë Demokratike, një parti e anëtarëve, si një parti e shqiptarëve që do t’i prijë një transformimi të thellë politik dhe ekonomik të vendit”.

Për këtë Kryesia, me propozim të kryetarit Basha dhe votë unanime, miratoi grupin e punës që do të shqyrtojë propozimet për ndryshimin e statutit që depozitohen deri më 22 Mars. Anëtarë të grupit u zgjodhën nënkryetarët e partisë Edi Paloka dhe Edmond Spaho, sekretari i përgjithshëm Arben Ristani, sekretarët Fatbardh Kadilli dhe Enno Bozdo, si dhe anëtarët e kryesisë Gent Malko dhe Arben Imami. Ky i fundit refuzoi postin për t’u larguar përpara përfundimit të mbledhjes dhe votimit në të.

Arben Imami: “Kjo parti ka nevojë për një diskutim të thellë politik. Bëmë një mbledhje para disa muajsh po këtu, dy çështjet kryesore ishin respektimi i statutit dhe bashkimi. Statuti s’është respektuar se nisi një proces pa kaluar në Këshillin Kombëtar që legjitimon mosbashkimin”.

Por në përfundim të dy orëve takim, garanti vërtetësisë së procesit doli vetë kreu i partisë.

Lulzim Basha: “Kryesia ka miratuar vendimet, të cilat do t’i japin mundësinë çdo demokrati të kontribuojë në këtë proces dhe unë personalisht do të garantoj që ky të mos jetë një proces formal por i vërtetë i bashkimit të të gjitha kontributeve dhe ideve për këtë platformë të PD si parti e anëtarëve”.

Në nisje të takimit mësohet se kryetari Lulzim Basha ka përmbledhur ecurinë e deritanishme të analizës së kësaj partie pas zgjedhejve të qershorit, raporti i së cilës do të paraqitet në Kuvendin Kombëtar të PD në datat 28-29 prill. Në përfundim të afatit 2 javor për depozitimin e propozimeve pranë grupit të punës, Partia Demokratike do të thërrasë edhe Këshillin Kombëtar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!