10 klubet e Superiores kanë zbritur sot në fushë, por jo për të luajtur futboll. Por për të vazhduar bojkotin, në shenjë proteste deri në realizimin e katër kërkesave të tyre. Gjithashtu, ka pasur dhe një komunikatë zyrtare drejtuar kryeministrit Edi Rama, që është publikuar nga klubet e Superiores në faqet e tyre zyrtare.
“Të nderuar sportdashës
Në emër të gjithë futbollistëve, ju kërkoj falje që ne nuk do të luajmë sot. Fusha dhe topi janë pasioni e dashuria jonë. Ne sot kemi dalë në fushë për të mbështetur kërkesat e drejtuesve tanë, për t’i sjellë ato akoma më afër tavolinës së zgjidhjeve.
Futbolli ka kohë që është në vështirësi. Kjo nuk mund të fshihet. Ne dhe klubet tona jemi shumë larg kolegëve tanë.
Nuk kërkojmë luks, nuk kërkojmë pasuri, por më shumë vëmendje ndaj lojës më të rëndësishme të shqiptarëve. Duam më shuëm fusha për t’u stërvitur ne dhe fëmijët e klubeve që përfaqësojmë. Duam më shumë siguri për të ardhmen e lojës dhe këto arrihen nëpërmjet një bazë të shëndoshë ligjore.
Ne duam vlerësim real të lojës sonë.
Që futbolli të mos lëngojë më dhe fëmijët e të rinjtë, të jenë të sigurt në ushtrimin e pasionit të tyre.
Katër kërkesat e Ligës janë minimale dhe plotësisht të realizueshme, madje dhe të premtuara nga të gjitha qeveritë në fushatat elektorale, e të harruara sapo marrin mandatet. Harresa më e freskët është ajo e Kryeministrit marsin e kaluar.
I dashur Kryeministër, mbaji premtimet e na kthe në fushë. Ne shpresojmë shumë në mirëkuptimin e arsyetimit tënd. Nuk do të kthehemi të luajmë, pa u përmbushur të katër kërsat e paraqitura.
Ne ju bëjmë thirrje: Bashkohu me Ligën! Bashkohu me ne! Mbështet futbollin!”, shkruhej në komunikatën e Ligës./abcnews.al
https://www.facebook.com/partizaniclub/posts/1450191001841958