Kryemadhi padit TCH: Do qëndrojmë larg presioneve, të rikthejmë besimin te drejtësia

schedule13:06 - 18 Prill, 2023

schedule 13:06 - 18 Prill, 2023

TIRANË – Monika Kryemadhi ka paditur për shpifje televizionin Top Channel, i cili ka publikuar disa dokumenta sipas të cilave ajo ishte financuar nga oligarkë rusë. Kryemadhi tha pas dorëzimit të padisë në gjykatën e Tiranës se dokumentet nuk janë të vërteta ndërsa shpifja ndaj saj kishte prapavijë politike.

“Sot ndalova në Gjykatën e Tiranës për të dorëzuar një padi civile për shoqërinë Top Channel e cila në mënyrë të vazhdueshme ka ushtuar denigrim, intimidim, mashtrim ndaj figurës time si person publik, si deputete, si politikane, si individ.

Sot dua të ngre një proces komplet tjetër jo vetëm për të sensibilizuar veten time në radhë të parë por për të treguar edhe një herë që shoqëria jonë shqiptare ka nevojë që të ndryshojë mentalitetin për të mos qenë më pre e presioneve, intimidimeve apo shantazheve të shoqërive të caktuara të cilat kanë për detyrë të informojnë qytetarët, kanë për detyrë të informojnë opinionin publik, jo ta dezinformojnë, jo ta pasurojnë me dokumenta fiktive, false të manipuluara.

Nesër do ta pasoj me një kallëzim penal për veprën penale që ka kryer shoqëria Top Channel ndaj meje duke paraqitur dokumenta të falsifikuara, apo edhe duke ushtruar shantazh dhe duke manipuluar dhe mashtruar opinionin publik. Përveç kësaj kam kërkuar dhe një dëmshpërblim financiar për të cilën jam e bindur që i gjithë ky buxhet do të shkojë në shërbim të shumë gjërave të mira për të rinjtë dhe të rejat.

Për momentin kam kërkuar vlerën 400 mijë euro. E cila do të jetë një vlerë e cila më vonë mund të rritet me tutje duke pasur parasysh që kjo shumë mund të shtohet në qoftë se shoqëria mediatike do të vazhdojë të shpifë apo falsifikojë ndaj personit tim.” u shpreh Kryemadhi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!